Durrës, 17 prill 2011, NOA – Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako që garon për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së qytetit bregdetar ka prezantuar sot projektet për ndërtimin e “Durrësit të ri” në zonën e ish-Kënetës. Dako u takua me banorë të kësaj zone duke u premtuar atyre se zona e ish-Kënetës do të shndërrohet në një qendër të zhvilluar urbane dhe sociale.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit përuroi një investim të rëndësishëm që ktheu një kanal të ujërave të zeza në këtë zonë në lulishte plot gjelbërim ku pushojnë banorët që banojnë pranë rrugës Drenica.
Kryebashkiaku Dako rikujtoi arritjet e Bashkisë në këtë zonë, ku falë investimeve të saj direkte janë realizuar konkretisht: “shtrimi i rrugëve në gjatësi 8499 metër linearë, ndërtimi i 54.891 m2 rrugë dhe sheshe; i rreth 7940 m2 trotuareve; janë mbjellë 400 pemë dekorative; janë sistemuar rreth 4776 metër linearë dhe ai ujërave të zeza me 5727 metër linearë; janë vendosur 140 shtylla, 72 tabela sinjalistike; janë vendosur 55 stola, janë ndërtuar 3 komplekse lojërash dhe 55 m2 shëtitore”.
Sipas Dakos këto arritje të mëdha, shënojnë vetëm një start të fuqishëm të Bashkisë së Durrësit.
“Gjatë katër viteve që vijnë ne do të mbyllim dhe do të shtrohen tubacionet për 19 kanale, të cilat do të kthehen në rrugë, që jo vetëm do të ndikojnë në ndryshimin e zonës, por do të nxisin edhe një zhvillim të biznesit dhe të jetës sociale në këtë zonë”, theksoi kryebashkiaku i Durrësit.
Sipas tij, i gjithë ky plan ndryshimesh do të prekë edhe rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, shtimin e ndriçimit, rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, si dhe ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja.
Dako atakoi edhe kundërshtarin e tij duke theksuar se ata kanë zgjedhur fjalët dhe mashtrimet, vetëm për të marrë votën e qytetarëve të Durrësit.
“Ata spekullojnë me premtimet e tyre ndaj jush. Deri më sot vetëm sa kanë marrë votat dhe ju kanë lënë në harresë, në mjerim dhe në braktisje. Çdo herë që kanë zgjedhje ata përsërisin të njëjtin refren. Vijnë, gënjejnë, premtojnë marrin votat dhe më pas asgjë nuk ndryshon”, tha kryebashkiaku Dako.
Ai i kërkoi votën banorëve të ish-Kënetës duke i siguruar ata se “Durrësi i Ri” do të jetë në fund të mandatit tjetër katër-vjeçar shtëpia e përbashkët për të gjithë durrsakët.
mit/NOA