English

Një shërbim i dëmshëm

“Pra, e thënë në këtë mënyrë, duket qartë se një nga betejat e mëdha politike për Tiranën është ajo mes qëndrimit të opozitës që e sheh Bashën thjesht një kukull të Saliut, thjesht një pjesë të fajit, dhe atij të vetë Lulzim Bashës, që po përpiqet të ravijëzojë konturet e një profili të ri”...

Nga Andi Bushati

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë një goditje të fortë fushatës së kandidatit të PD-së për Tiranën, Lulzim Basha, duke ushtruar trysni mbi një pjesë të TV-ve që kishin filluar të transmetonin një spot kundër tij. Aty ish-ministri i Brendshëm shfaqej, fare shkurt, ashtu si opozita mundohet ta përshkruajë prej kohësh, si një sozi e Berishës. Buzëqeshja e tij bëhej papritmas ajo e Kryeministrit, duke dhënë idenë, tek e cila po fokusohet lufta kundër tij, se kandidati i PD-së për Tiranën nuk është asgjë më shumë veçse një zgjatim i pushtetit të madh të Berishës edhe mbi kryeqytetin.

Fillimisht bordi i mediave pranë këtij komisioni propozoi një masë edhe më ekstreme: dënimin me gjoba të rënda të disa TV-ve jo pranë qeverisë, që e kishin transmetuar këtë spot. Por, megjithëse një masë e tillë u hodh poshtë, përsëri vendimi për mostransmetimin është një skandal politik.

Sepse argumentet e servirura për ndalim, janë sebepe dhe të pa motivuara ligjërisht. Sepse, për nga mënyra e procedimit, i jepet edhe njëherë mundësi opozitës të flasë për KQZ-në jo si për një arbitër, por si për një palë, në zgjedhjet e 8 Majit në Tiranë. Por, së treti, dhe kjo është më e rëndësishmja, sepse me këtë veprim prej militantësh kokëtrashë, anëtarët e djathtë të KQZ-së kanë rënë brenda në kurthin e opozitës.

Aksioni politik i saj, për një kohë të gjatë ka synuar të vërë shenjën e barazimit midis Berishës dhe Bashës: të njëjtë në abuzimet me Rrugën e Kombit, të njëjtë në paktin detar që i falte kilometra hapësirë detare Greqisë, të njëjtë më 21 Janar, për të goditur demonstruesit.

Ndërsa në mënyrë të moderuar, sidomos me fillimin e fushatës së tij, Lulzim Basha ka mëtuar të tregojë të kundërtën. Sinjalet, megjithëse ende të dobëta, që ai ka dhënë, shpesh janë në sens të kundërt me ato të shefit të tij në parti. Një gjysmë pohimi se, ndryshe nga Berisha, ai nuk ishte për prishjen e Piramidës; një qëndrim se ai nuk ishte për të ndërtuar te liqeni, aty ku Kryeministri dhe kreu aktual i bashkisë kishin bërë një nga marrëveshjet e heshtura më të turpshme; një premtim se ai do t’i kundërshtonte vendimet e KRTRSH, nëse ato binin ndesh me interesat e qytetarëve të Tiranës, kanë qenë sinjale të qarta për këtë strategji elektorale të Bashës. Të sinqerta apo jo, kjo është një çështje tjetër. Ajo që mund të thuhet me siguri është se qëllimi i Bashës ka qenë që të krijojë të vetmin model fituesi nga e djathta, që është i ndryshëm nga ai i Kryeministrit.

Pra, e thënë në këtë mënyrë, duket qartë se një nga betejat e mëdha politike për Tiranën është ajo mes qëndrimit të opozitës që e sheh Bashën thjesht një kukull të

Saliut, thjesht një pjesë të fajit, dhe atij të vetë Lulzim Bashës, që po përpiqet të ravijëzojë konturet e një profili të ri.

Pikërisht në këtë betejë që i tejkalon përmasat e saj, hyri në mënyrë brutale, të vrazhdë dhe të paprinciptë KQZ-ja. Ajo hyri në të ndoshta e nxitur edhe nga një pjesë e PD-së së vjetër, por ajo ra krejtësisht në kurthin e opozitës.

Sepse në ditët e sotme, të qindramijëra klikimeve në internet dhe të mitingjeve që transmetohen «live», është e pamundur të censurosh një spot. Të tentosh ta bësh këtë gjë, është të krijosh efektin bumerang, duke i dhënë atij një vizibilitet më të madh.

Ajo ra në kurth edhe sepse heqja e spotit demonstron frikë. Krijon përshtypjen se mesazhi qenka i drejtë. Se kjo që kumtohet është një pikë e dobët që Basha do ta fshehë dhe do ta përjashtojë nga debati publik.

Në fakt, Lulzim Basha nuk ka nevojë për këta mbrojtës që votuan ndalimin e spotit e aq më pak për frymëzuesit e tyre. Ai ka ende kohë gjatë kësaj fushate për të bindur njerëzit se mund të krijojë një model të ndryshëm. Ai ka ende kohë që të shprehë divergjencat me një politikë që në PD, edhe për arsye kohore e biologjike, është në shuarje. Ai ka ende kohë të synojë një model të ri. Ai ka ende kohë të tregojë se di të jetë vetvetja dhe të mos përshtatet me mendësinë e luftimit të kundërshtarit, përmes mercenarëve të paguar të pushtetit. Dashamirësit e tij të panevojshëm, në KQZ, i dhanë atij një shans për t’u treguar ndryshe. I dhanë një rast për ta denoncuar ndalimin e spotit kundër tij, si pjesë e një mentaliteti të vjetër. Basha duhet ta hedhë këtë hap edhe për fair play politik, edhe si një shenjë që ai nuk mendon me mendësinë e PD-së së vjetër.

Është e vërtetë se ai spot mund ta dëmtojë nëse transmetohet. Por është shumë më tepër e vërtetë se ai e dëmton më shumë i censuruar. Ndaj i prekuri prej tij duhet të jetë i pari që të kërkojë mosndalimin e tij. Nëse vërtet beson te modeli që ka zgjedhur, ai nuk ka pse zgjidh me mercenarë, një përgjigje që mund ta japë me fushatë.

Gazeta Mapo

KOMENTE