Kamëz, 17 prill 2011, NOA- Sërish është përsëritur e njëjta situatë në Kamëz, pak minuta më parë është rrahur një simpatizant i Partisë Demokratike.
Mësohet se edhe këtë herë shkak për konfliktin është bërë vendosja e flamujve partiakë.
Ndërkaq pritet që pasditen e sotme kreu i Partisë Socialiste Edi Rama të shkojë në Kamëz për të çelur fushatën, një zonë e njohur për përqindje të lartë të elektoratit të djathtë.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se i dëmtuari është dërguar drejt Spitalit Ushtarak për të marrë ndihmën e shpejtë.
Rasim Hoxha është identifikuar i dhunuari, i cili në momentin që është sulmuar ka valëvitur dhe ka tentuar të vendosë flamurin e Partisë Demokratike, në vendin ku kryesocialisti Edi Rama do të mbajë fjalimin këtë pasdite.
Mësohet të ketë qenë ky gjest i cili ka bërë që përkrahësit e së majtës në këtë zonë, të ndihen të provokuar dhe ta dhunojnë atë.
Ndërkaq vetëm pak ditë më parë pikërisht për shkak të vendosjes së flamujve në Kashar dy vëllezër u rrahën dhe përfunduan me fraktura të rënda në spital.
a.y/NOA