English

Pakti për punësimin e të rinjve të qarkut të Kukësit

Kukës, 17 prill, NOA – Rreth 40 përfaqësues të institucioneve shtetërore, biznesit, organizatave ndërkombëtare dhe pushtetit vendor kanë firmosur një marrëveshje për krijimin e 1 000 vendeve të reja të punës brenda vitit në qarkun e Kukësit.

“Ne do ta mposhtim papunësinë dhe do të formalizojmë tregun e punës, duke punuar e bashkëpunuar me të gjithë aktorët në çdo qytet e fshat, madje edhe ato më të voglat, nëse është e nevojshme”. Kështu u shpreh Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, në ceremoninë e nënshkrimit të të parit Pakt Territorial për Punësimin e të Rinjve, i cili është i fokusuar në krijimin e rreth 1000 vendeve të reja të punës në Qarkun e Kukësit.

“Ne po hedhim sot hapat e parë për krijimin dhe formalizimin e rreth 1 000 vendeve të reja të punës në qarkun e Kukësit. Shpresojmë që së shpejti edhe qarqe të tjera të Shqipërisë do t’i bashkohen iniciativës së Pakteve Territoriale për Punësimin e të Rinjve”, u shpreh Zv/Ministri Sulka, duke vënë në dukje se, “paktet territoriale për punësimin janë instrumente mjaft të zhvilluar dhe të suksesshëm në vendet e BE, por ky është i pari jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Rajonit dhe do të shërbejë si një shembull për t’u implementuar edhe më gjerë” .

Zv/Ministri i Punës shprehu gatishmërinë e strukturave të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për të mbështetur autoritetet e Qarkut të Kukësit në proçesin e implementimit të Paktit, nëpërmjet instrumenteve e qasjeve të integruara që janë hartuar në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare të Punës (ILO), e cila është agjencia drejtuese e Programit të Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të Rinjve.

Pakti për Punësimin përcakton rolet dhe përgjegjësitë e mbi dyzetë aktorëve të përfshirë në përpjekjet për formalizimin e tregut të punës në rajon. Ai është fryt i bashkërendimit të punës në nivel vendor, nën drejtimin e Bordit Rajonal të Punësimit dhe me ndihmesën teknike të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Marrëveshja i jep formën ligjore një investimi prej 244,180 USD, prej të cilit 155,180 USD janë financuar nga Kombet e Bashkuara, në kuadrin e Programit të Përbashkët të OKB-së për Punësimin dhe Migrimin e të Rinjve, ndërsa 89,000 USD janë kontribut në natyrë nga partnerë vendorë, si kompani, sindikata dhe shoqata. Për më tepër, puna për zbatimin e Paktit do të ndërthuret me skemat e granteve prej afro 300,000 USD të ofruara nga qeveria shqiptare për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale të qarkut të Kukësit.

Kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës (KQK) dhe Bordit Rajonal të Punësimit (BRP), Shefqet Bruka, u shpreh se, “Përgatitja e Paktit Territorial për Punësimin ishte një sfidë e madhe dhe jo e lehtë, por ne të gjithë besojmë fort dhe ndjehemi mirë kur mendojmë se e ardhmja për 1 000 të rinj të Qarkut tonë do të jetë më e sigurt, falë punës dhe përpjekjeve të përbashkëta, të cilat do të vazhdojnë më tej në kuadër të këtij Pakti që po nënshkruajmë sot.”

Qarku i Kukësit është mjaft i prekur nga probleme që kanë të bëjnë me migrimin e të rinjve, nën-punësimin dhe punën informale në sektorin e bujqësisë, mungesën e trajnimeve dhe të shërbimeve për rritjen e produktivitetit, si dhe me mungesën e kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Për zgjidhjen e këtyre sfidave, nëpërmjet partneritetit të krijuar mes aktorëve në nivel vendor dhe kombëtar përmes Paktit Territorial për Punësimin e të Rinjve, do të punohet në katër drejtime: për formalizimin e kompanive dhe punonjësve, informimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet e punësimit dhe migrimit, trajnimin e të rinjve për të qenë të aftë të punësohen dhe të sigurojnë jetesën, si dhe kryerjen e trajnimeve profesionale gjatë punës.

Programi i Përbashkët i OKB-së, “Punësimi dhe Migrimi i të Rinjve: Përftimi i dobive dhe pakësimi i rreziqeve”, i cili është duke u zbatuar bashkarisht nga ILO, IOM, UNDP dhe UNICEF, synon të rrisë mundësitë e të rinjve për punë të denjë në dhe menaxhimin e migrimit jashtë vendit, duke i vendosur këto çështje në planin e prioriteteve të strategjive kombëtare për të rinjtë. Programi financohet nga Qeveria e Spanjës, nëpërmjet Fondit për Arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit për të Rinjtë dhe Migrimin.

Përfaqësues nga qeveria shqiptare, Këshilli i Qarkut Kukës, Kombet e Bashkuara, institucionet publike, ofruesit e trajnimeve, sindikatat, komuniteti i biznesit dhe mediat u mblodhën në qytetin e Kukësit me rastin e nënshkrimit të Paktit Territorial për Punësimin e të Rinjve për këtë Qark. Pakti do të çojë në formalizimin dhe krijimin e një mijë vendeve të reja të punës, deri në fund të këtij viti.

NOA

KOMENTE