English

Policia: Ndalohet militanti që dhunoi punonjësin e bashkisë Kamëz

Kamëz, 17 prill 2011, NOA- Policia e kryeqytetit ka reaguar pak më parë lidhur me incidentin e ndodhur në Kamëz, ku ngeli i plagosur një person.

Sipas policisë, gjatë mesditës së sotme në afërsi të rrugës “Manhatan” në Kamëz, pranë vendit ku po ngrihej tribuna për zhvillimin e takimit elektoral të Partisë Socialiste, ka pasur një konflikt ndërmjet simpatizantëve të Partisë Socialiste, dhe disa shtetasve midis tyre edhe një punonjës i Bashkisë Kamëz.

Uniformat blu të kryeqytetit konfirmojnë për agjencinë e lajmeve NOA, se si rrjedhojë e këtij incidenti ka mbetur i plagosur Rasim Hoxha, 43 vjeç, me detyrë Punonjës Policie pranë Bashkisë Kamëz, i cili në momentin e plagosjes ka qenë duke vendosur pankarta të Partisë Demokratike.

Ndërkaq burime zyrtare të uniformave blu, thonë se, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5 Tiranë, kanë identifikuar autorin e mundshëm të plagosjes së shtetasit Rasim Hoxha, i cili mendohet të jetë Petrit Hoxha, 36 vjeç.

I ndaluari, i cili mendohet të jetë militant i Partisë Socialiste, në këto momente po merret në pyetje në lidhje me rrethanat e kësaj plagosje, ndërkaq sipas policisë po punohet edhe për zbardhjen e faktit nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë.

I dhunuari i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak, në momentin që është dhunuar ka tentuar të vendosë simbolet e Partisë Demokratike, në vendin ku kryesocialisti Edi Rama do të mbajë fjalimin këtë pasdite, gjatë takimit ku ai do të hapë fushatën për këtë zonë.

a.y/NOA

KOMENTE