Tiranë, 17 prill 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama turin e takimeve të tij elektorale e ka përqendruar këtë herë te banorët e bllokut 59 në kryeqytet.
Edhe në këtë takim kreu i selisë rozë ka thënë se qeveria merr disa herë më shumë taksa nga ato që u merr bashkia qytetarëve.
Rama u ka thënë qytetarëve se në 8 maj në kutitë e votimit duhet të jepet vota që të transformohen edhe mjediset brenda shtëpive për më shumë mirëqenie ekonomike.
Sipas tij, “Siç po transformojmë mjedisin e jashtëm, duhet të transformojmë mjedisin ekonomik të çdo familje që të kenë punë dhe të kenë lekë. Këto të dyja janë kryesoret. Prandaj në 8 maj duhet të shkojmë tek kutia e votimit, aleancë për të ardhmen të gjithë bashkë, s’ka flamuj partish. Flamuri i interesave ekonomike të Shqipërisë dhe të çdo familje.”
Më tej ai ka thënë se, me 5500 lekë të vjetra në muaj kontribute për bashkinë, zona u transformua nga një baltovinë në një lagje normale dhe sipas tij, kështu do të transformohen të gjitha lagjet e Tiranës.
“Problemi është se çfarë bëhet me 50 herë më shumë që i paguani në muaj qeverisë. Ato ku venë?! Mesatarisht 1 milion paguan biznesi vogël për të gjithë këto punë të mëdha që bëhen për pastrim, ndriçim, gjelbërim. 4 milion metër katrorë blloqe banimi janë transformuar, 4 herë më shumë i merr qeveria. Vetëm për mirëmbajtjen e kasës fiskale që e imponoi me dhunë dhe me korrupsion i merr më shumë në vit sesa çfarë merr bashkia për pastrimin e gjithë Tiranës. Më 8 maj duhet të ndryshojë këtë. Në 8 maj duhet të ngremë flamurin e interesave ekonomike të familjeve dhe të vendit”, deklaroi kryesocialisti.
Ai tha se në 8 maj të gjithë duhet të bëhen zot të vetes, në mënyrë që në 8 maj me fletën e të gjitha llogarive, pushteti të paguajë për papunësinë, për çmimet, për kusarinë, për të gjitha premtimet e pambajtura dhe mbi të gjitha për të çuar përpara gjithë këtë zhvillim të madh që i kemi dhënë qytetit.
Ndërkohë gjatë mesditës së sotme është zhvilluar edhe një ndeshje basketbolli mes dy skuadrave, asaj të të rinjve dhe asaj të figurave të njohura të PS. Edi Rama ka qenë pjesë e skuadrës së të rinjve të Tiranës.
a.y/NOA