Tiranë, 17 prill 2011, NOA Update - Nga njësia bashkiake nr.10 pranë rrugës “Mine Peza” në kryeqytet, kryebashkiaku Edi Rama akuzoi qeverinë se me investimet e pafundme për propagandën e shfrenuar për të përbaltur bashkinë e Tiranës, u merr familjeve kryeqytetase 50 herë më shumë, sesa banorët i paguajnë bashkisë për muaj për pastrimin e Tiranës.
“5500 lekë të vjetra në muaj për të pasur një Tiranë të pastër, për të pasur një Tiranë të ndriçuar, për të pasur një Tiranë ku sot numërojmë me shumë krenari 55 mijë pemë të mbjella dhe ku sot numërojmë me shumë krenari shkolla të rindërtuara dhe shkolla të reja”, deklaroi Rama gjatë mitingut elektoral për prezantimin e kandidates së “Aleancës për të ardhmen” për kryetare të minibashkisë nr.10. Enada Alikaj.
Kryebashkiaku Rama theksoi se “Tirana është sot kryeqyteti jo vetëm i të sotmes, por edhe i të ardhmes. Është kryeqyteti i ëndrrave të gjithë atyre familjeve të zakonshme të këtij vendi që në Tiranë kanë gjetur pikën e tyre të referimit, kanë gjetur destinacionin e tyre, kanë gjetur hapësirën ku të kultivojnë me pasion, me përkushtim, me sakrifica, me shumë vështirësi, por edhe me shumë dëshirë gjithçka ka të bëjë me veten dhe me fëmijët e tyre”.
Sipas Ramës, Tirana është gjithmonë e më shumë kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, ku të gjithë ata bij e bija të familjeve që kanë ardhur brenda në Tiranë, për një jetë më të mirë kanë gjetur këtu në Tiranë, Amerikën e tyre.
Kryebashkiaku i Tiranës dhe kryesocialisti Edi Rama rikujtoi rrugëtimin e tij në krye të bashkisë, duke theksuar se e gjeti Tiranën të varrosur nën betonin e ndërtimeve të paligjshme dhe plehrat e kudondodhura, për ta shndërruar sot në qytetin më të pastër të Shqipërisë.
“Qyteti që pastrohet çdo ditë, qyteti që mirëmbahet çdo ditë, qyteti ku investohet çdo ditë për të rritur jo thjesht cilësinë e jetës por cilësinë e bashkëjetesës qytetare, e bashkëjetesës demokratike mes të gjitha komuniteteve dhe mes të gjithë individëve pavarësisht se nga vijnë, pavarësisht sesi quhen, pavarësisht se ku besojnë, pavarësisht se çfarë zgjedhin”, tha kryebashkiaku Edi Rama, duke nënvizuar më tej se “Tirana që ne kemi sot është fryt i një investimi të përbashkët”.
mit/NOA