English

Skandal me divorcet në Sarandë

Sarandë, 17 Prill 2011 NOA/ Ervin Tirana– Gjykata e Rrethit të Sarandës është përfshirë në një skandal me divorce të çifteve të minoritarëve.

Vetëm muajt e fundit shënohen të paktën 500 divorce të këtilla, bëjnë të ditur burime nga gjykata e Rrethit në Sarandë.

Shkak, spekulimi me pensionet. Shteti në Greqi ka vendosur në kuadrin e krizës ekonomike që e ka përfshirë, që të ndajë një pension për familje dhe jo më si më parë kur për çdo shtetas minoritar grek që jeton në Shqipëri jepej një pension individual mujor prej afro 400 eurosh (rreth 56 mijë lekë të rinj).

Dhe çiftet minoritarë e gjejnë më të thjeshtë të shkojnë në gjykatën e Sarandës dhe të marrin divorcin e më pas të paraqiten tek autoritetet përkatëse greke, duke i detyruar t’u japin dy pensione, pasi shpallen nga gjykata sarandjote si dy familje të ndara.

Burime nga kjo gjykatë i thanë agjencisë NOA se një dukuri e tillë që po përhapet, është për ta e pashmangshme, pasi çiftet pavarësisht se janë në moshë të thyer, jo më pak se 65 vjeçarë, nuk mund t’i detyrosh të mos divorcohen, edhe pse tashmë dihet qartë se kjo po bëhet vetëm për të përfituar nga një pension të dytë nga shteti grek, pension që është 400 euro në muaj ose dy herë mbi pagën minimale zyrtare të një shtetasi shqiptar.

Kështu, çiftet minoritare që përfitojnë pensione në Greqi, pasi kanë kaluar së bashku, me letra dhe nën një çati, 35-40 apo më shumë vite të jetës, tashmë figurojnë të divorcuar. Por vetëm me shpallje gjyqësore, sepse vitet e fundit të jetës, vazhdojnë t’i ngrysin bashkë.

e.t/NOA

KOMENTE