English

Topalli: Përballë dhunës dhe urrejtjes, ne vendosim projekte konkrete

Shkodër, 17 prill 2011, NOA- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli njëherësh, nënkryetarja e Partisë Demokratike, kuadër të fushatës elektorale është ndalur në komunat e Shkodrës.

Topalli zhvilloi disa takime me banorët e komunës Gur i Zi, Postribë si dhe në rrethina të tjera, ndau me ta alternativën për zhvillimin e pandalshëm të këtyre zonave përmes projekteve infrastrukturore, investimeve në bujqësi, subvencionimit të fermerëve, ndërtimit të shkollave të reja, qendrave shëndetësore etj.

“PD e ka bërë Shkodrën si vilë tani duhet të bëjmë oborrin. Unë e ndjej si detyrë që rrethinat e Shkodrës t’i kthejmë në kurorën e Shkodrës, kjo pjesë kaq e bukur e rrethit tonë, këto fshatra ku ju jetoni, të cilët unë i njoh, sepse i kam vizituar pëllëmbë më pëllëmbë shumë vite më përpara, t’i bëjmë më të bukura, më të zhvilluara, por dhe t’i kthejmë ashtu siç mendojmë për Postrribën, t’i kthejmë në qendra turistike”, deklaroi kryeparlamentarja.

Sipas saj, filozofia e koalicionit të djathtë ka në epiqendrën e saj qytetarin dhe interesat e tij, ndërsa alternativën tjetër ajo e cilësoi si atë të shpifjes dhe trillimit.

Më tej Topalli tha se, “Më 8 maj që janë zgjedhje lokale, administrative, zgjedhje në të cilat kemi përballë një person që përveç dhunës nuk ofron asgjë tjetër, përveç konfliktit nuk ofron asgjë tjetër, përveç urrejtjes nuk ofron asgjë tjetër. Ne t’i vendosim përballë fushatën pozitive, ne t’i vendosim përballë ofertën e projekteve konkrete, investimeve dhe financimeve konkrete”.

Ajo theksoi se në një bashkëpunim të ngushtë midis qeverisjes lokale dhe asaj qendrore do të realizohet dhe projekti ambicioz për shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar në vitin 2017.

“Jam këtu për t’i kërkuar çdo të njohuri, çdo miku, çdo banori, për të votuar për projektet, programin, platformën, zhvillimin e rrethinave nga qeverisja vendore aty ku ju jetoni, ku ndërtoni të ardhmen tuaj. Ne jemi ata që kemi bërë zgjedhjet e 2009-ës. Këto zgjedhje ishin politike, në 2009 Sali Berisha mundi Edi Ramën, unë jam e sigurt se Lulzim Basha do ta mund në Tiranë Edi Ramën. Zgjedhjet lokale do të bëjnë të mundur që projektin, tonë, ambicien tonë, qëllimin tonë, për një Shqipëri të zhvilluar në vitin 2017 ta bëjmë të mundur përmes një kooperimi midis qeverisjes lokale, administrative dhe qeverisjes qendrore me kryeministrin Berisha”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli para banorëve.

a.y/NOA

KOMENTE