English

Berisha: Ne, qeveria që çan malet, nuk i çon qytetarët prapa malit

Gramsh, 18 prill 2011, NOA – Nga qyteti i Gramshit Kryeministri Sali Berisha garantoi se qeveria do të financojë çdo projekt në Gramsh duke premtuar se në katër vitet që vijnë investimet e qeverisë për këtë qytet do të rriten 6 herë. Duke prezantuar Kastriot Zerën, si kandidat të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të bashkisë së Gramshit, kryeministri Berisha siguroi gramshiotët se “qeveria do të financojë çdo projekt të zotit Kastriot Zera dhe kryetarëve tuaj të komunave për të arritur në Gramsh ndryshimin më të madh, zhvillimin më të fuqishëm në tërë ekzistencën e këtij qyteti dhe këtij rrethi”.

“Në katër vitet që shkuan ne kemi investuar në Gramsh, qytetin dhe komunat e tij, 8 herë më shumë se Partia Socialiste në tetë vite të marra së bashku. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 40 kilometra rrugë, 20 shkolla, 16 ambulanca, 6 ujësjellës, 16 qendra shëndetësore, Gramsh, Kodovjat, Kushove, Pishaj, Poroçan, Skënderbegas, Brosnan, Holtas, Çekinë dhe Trumë” theksoi kryeministri.

Ai nënvizoi se qeveria ka financuar 390 fermerë dhe mbjelljen e 140 hektarëve me ullinj, vreshta dhe dru të tjerë frutorë, ndërkohë që siç tha 50 hektarë të tjerë do të financohen gjatë vitit 2011.

Kryeministri premtoi se qeveria do të investojë në ndërtimin e rrugës së re buzë liqenit që lidh Gramshin – Drizën – Shtërmenin – Cërrikun dhe Paprin.

“Ka filluar ndërtimi i rrugës Gramsh – Kodovjat. Me mbarimi e kaskadës, siç theksova, do të rikonstruktohet pjesa tjetër e rrugës për në Maliq. Do të fillojë se shpejti ndërtimi i rrugës Drizë – Banjë – komunë e Poroçanit. Do të ndërtojmë rrugën Kodovjat – Lenie, Shën Mëri - Skënderbegas. Po projektohet rruga që lidh qytetin tuaj me Skraparin”, nënvizoi shefi i ekzekutivit.

Në këtë kontekst kryeministri i bëri thirrje banorëve të Gramshit që “atyre që ju mashtrojnë dhe ju thonë se rruga do kalojë prapa malit, do t’u thoni se kjo qeveri është qeveria që çan malet dhe nuk i nxjerr qytetarët prapa malit”.

“Unë kam shumë kënaqësi që brenda dy viteve ju do të mbërrini në Tiranë për një kohë 50 minuta më të shkurtër dhe se Gramshi e Tirana do të kenë një distancë jo më të madhe se rreth 1 orë”, premtoi kryeministri.

Ai siguroi se do të modernizohet dhe pajiset me teknologji moderne spitali i qytetit.

Kryeministri i ftoi banorët e Gramshit t’i bashkohen alternativës së “Aleancës për qytetarin”, duke theksuar se “alternativa e rrugës së vetme ka një synim, poshtërimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Këtu ai i ftoi gramshiotët të injorojnë sharjet e shpifjet dhe të merren me vlerat e vërteta, duke votuar Kastriot Zerën dhe kandidatët e “Aleancës për qytetarin”, duke e menduar këtë votë si votë për familjen, për Gramshin e për Shqipërinë.

“Të mos harrojmë se rruga e vetme është rruga e kutisë, rruga në të cilën zoti Rama deshi të fuste vizat tuaja dhe të ardhmen tuaj”, tha kryeministri, duke nënvizuar se 8 maji do të jetë një proces zgjedhor i lirë e i ndershëm.

mit/NOA

KOMENTE