Londër, 18 prill, NOA - Qeveria britanike planifikon që deri në vitin 2019, të ketë instaluar matës inteligjentë për energjinë elektrike, në çdo shtëpi të Mbretërisë së Bashkuar.
E hartues i një projekti të tillë është një shkencëtar shqiptar, me emrin Dritan Kalemi, lektor në universitetet angleze për rrjetet e komunikimit.
Aktualisht, ai është udhëheqësi teknik i CLEVER, një projekti bashkëpunues 3-vjeçar i financuar nga Bordi Strategjik i Teknologjisë, i cili synon të gjejë një zgjidhje për të mbyllur qarkun e kontrollit të energjisë elektrike nëpërmjet përfshirjes direkte të konsumatorëve që përdorin instrumente matës inteligjentë.
Ai është ftuar në këtë projekt që të japë perspektivën e tij, pikërisht mbi disa nga çështjet kryesore që lidhen me teknologjinë e re të matësve inteligjentë.
Këta të fundit janë projektuar që të ndihmojnë konsumatorë të menaxhojnë më mirë konsumin e tyre të energjisë.
Rezultatet e kërkimit janë botuar në suplementin e “The Guardian” me titullin ‘Revolucioni Inteligjent’, në edicionin e datës 13 prill.
n.e/NOA