Tiranë, 18 prill 2011, NOA – Deputeti demokrat Gerti Bogdani akuzoi sot bashkinë e Tiranës se në katër vitet e fundit nuk ka hapur asnjë linjë të re autobusi, gjë që ka shkaktuar mbivendosjen e linjave të transportit urban dhe vështirësimin e trafikut.
Bogdani bëri me dije se në Tiranë çdo ditë përdorin transportin urban minimalisht 225.000 persona me biletë apo me abone, të cilët udhëtojnë në kushte
krejtësisht të papërshtatshme.
Ai nënvizoi se sipas një studimi të Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve për transportin
urban të udhëtarëve në Tiranë, rezulton se gjendja fizike teknike e mjeteve
të transportit është shumë e keqe.
“Përveç disa autobuzëve të rinj, shumica e mjeteve janë të amortizuara, çka
demostron se janë blerë me çmim shumë të ulët. Kushtet e higjenës dhe pastërtia (venduljet, mbajtëset në të cilat mbahen pasagjerët) janë në gjendje skandaloze. Automjetet jo vetëm që nuk lahen çdo ditë, por për pastrimin e tyre nuk përdoren as detergjentë dhe as iu vihen në dispozicion pesonelit të tyre as mjetet më elementare të pastrimit”, tha Bogdani.
Ai përmendi se frekuenca e ndalesave në stacione është jashtë çdo norme dhe parashikimi
Kontraktor, ndërkohë që shërbimi i ajrimit dhe kondicionimi i temperaturës së ajrit
është jashtë funksionit, duke bërë tejet të vështirë udhëtimin me autobus të banorëve të Tiranës nga një zonë në tjetrën.
“Numri i paktë i linjave, shtrirja e tyre në pjesët më të populluara,
infrastruktura e papërshtatshme e udhëtimit, trafiku i rënduar, vonesat e
gjata nëpër stacione, bëjnë që kushtet e udhëtimit me autobuzët urbanë të
jenë jashtë standardeve”, nënvizoi deputeti demokrat.
Këtu ai i bëri i bëri thirrje kryeqytetasve se për të përmirësuar jetën e përditshme duhet të zgjedhim një kryebashkiak që të merret me të gjitha problemet e qytetarëve dhe jo një kryebashkiak që është fokusuar vetëm tek politika kombëtare.
mit/NOA