Tiranë, 18 prill, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi deklaroi sot se kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha po premton projekte për të cilat qeveria ka votuar kundër. Ai u shpreh se projekti i tramvajit është hedhur poshtë që në vitin 2006 nga vetë qeveria e Sali Berishës.
“Luli i Saliut vetë po na e provon, dita-ditës me shembuj konkretë, se është jo vetëm krejtësisht jashtë realitetit të Tiranës por po tenton të mashtrojë qytetarët e Tiranës duke u premtuar projekte të cilat qeveria e tij dhe e Saliut i ka hedhur poshtë, siç është rasti i Bulevardit. Në projektin e rikostruksionit të bulevardit të miratuar me Vendim nr. 8, datë 11 shkurt 2005 parashikohej edhe ndërtimi i trasesë së tramvajit. Ky projekt u hodh poshtë fatkeqësisht nga qeveria e Saliut siç vërtetohet me shkresat bashkëlidhur”, tha Shalsi.
Shalsi u shpreh se kjo nuk është një sjellje normale e mazhorancës dhe kandidatit Basha. “Pra imagjinoni ku arrin paturpësia e Saliut: I thotë Lulit të premtojë tramvajin që qeveria e tij nuk e miratoi. Sikundër edhe 3 herët e tjera, qytetarët e Tiranës edhe më 8 maj do të ndëshkojnë me votë Saliun dhe për pasojë edhe kandidatin e tij të rradhës”, tha Shalsi.
Ai paraqiti para medieve edhe vendimin e qeverisë në lidhje me tramvajin.
a.k.NOA