Prishtinë, 18 prill, NOA – Publikimi në mediat i raportit që flet për sjelljen denigruese të një punonjësi të EULEX ndaj qytetarë shqiptarë në Kosovë, ka sjellë dhe reagimin e organizatave të shoqërisë civile në këtë vend. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, e ka cilësuar sjelljen e punonjësit si racizëm të hapur ndaj shqiptarëve.
“KMDLNj mendon se fyerja për punëtorët shqiptarë, ndjenjën e tyre kombëtare, fetare, simbolet kombëtare e veçmas flamurin nuk është abuzim i thjeshtë. Një gjë e tillë është racizëm i pastër. KMDLNj mendon se është e pamjaftueshme që rasti të hetohet vetëm nga strukturat administrative të EULEX. Nëse jo ndonjë komision i pavarur hetues atëherë ky hetim është dhe duhet të jetë përgjegjësi e prokurorëve të EULEX dhe të Kosovës. Racizmi është vepër e rëndë penale dhe nuk është shkelje administrative. Një akt i tillë duhet hetuar deri në fund dhe hetimi të jetë transparent”, thuhet në regaimin e KMDLNj-së.
Nga ana tjetër organizata thekson dhe e masat e marra pas skandalit janë një tjetër fyerje ndaj qytetarëve
“Rasti i fundit i të punësuarit në misionin EULEX po dëshmon edhe njëherë që imuniteti karshi ligjeve në Kosovë ka krijuar mundësi të tillë si rasti i në fjalë. KMDLNj konsideron se masa e suspendimit për punëtorin e EULEX është e pamjaftueshme. Një masë e tillë është një mesazh i keq për qytetarin e Kosovës. Arsyetimi që EULEX ka dhënë në mediat e Kosovës që “ suspendimi është bërë për arsye sigurie” është edhe ofendim shtesë për qytetarin. Kjo do të thotë që nëse nuk do të ishte për çështje sigurie të pjesëtarëve të misionit atëherë kur rasti do të mbyllej”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër KMDLNJ thekson se raste të ngjashme të shkeljeve, sipas KMDLNj ka pasur edhe misionin e UNMIK dhe të KFOR por që janë mbyllur apo fshehur nga këto struktura.
“Të punësuarit ndërkombëtarë në misionet si UNMIK, EULEX, KFOR etj kanë shfrytëzuar më të madhe gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarit të Kosovës. Kështu, të punësuarve në këto misione u janë shkel të drejtat duke u pamundësuar edhe shprehjen e lirë duke i kërcënuar me vende pune nëse ata raportojnë rastet abuzive. KMDLNj mendon se pamundësia e të punësuarve vendorë në këto misione për t’u organizuar në sindikata është edhe një shkelje tjetër. Kërcënimi se nëse raportojnë rastet me humbjen e vendeve të punës është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.
Nga ana tjetër organizata shtron nevojën e heqjes së imunitetit të punësuarve në këto misione.
“Një akt i tillë do të mundësonte trajtim të barabartë para drejtësisë, pa marrë parasysh pozitën dhe misionin. KMDLNj i fton të gjithë të punësuarit pranë këtyre misioneve dhe të cilëve u janë shkelur të drejtat e njeriut që t’i paraqesin rastet në zyrat e KMDLNJ në Prishtinë. Ndryshe rastet do të mbeten të pandriçuara dhe ata që keqpërdorin pozitën e tyre do të mbesin të pandëshkuar”, thuhet në njoftim.
Reagimi i KMDLNj-së i referohet rastit të punonjësit francez Stefan Loren. Në raportin e ankesës për të thuhet se Loren ka deklaruar se “është kënaqësi që me flamurin shqiptar të fshijë prapanicën dhe se Kosova është vend i mirë për ta pshurrur”. Ai u ka thënë punëtorëve lokalë se “ju shqiptarët jeni të marrë, se nuk keni shtet dhe se Serbia nuk do të lëshojë kurrë Kosovën”, raportojnë mediet.
Pas publikimi të raportit në media, EULEX ka pezulluar punonjësin nga puna dhe ka lëvizur në pozicione të tjera disa përfaqësues të kësaj zyre.
a.k/NOA