English

Rama në Kombinat: Transformimi do vazhdojë

Tiranë, 18 prill 2011, NOA – Nga zona e Kombinatit ku kandidon për kryetar kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” Krenar Cenollari, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u premtoi banorëve të zonës se transformimi i Kombinatit do të vazhdojë.

Gjatë takimeve derë më derë ku u takua me banorët pikërisht aty ku ata jetojnë e punojnë përditë kryesocialisti Rama theksoi se transformimi duhet të vazhdojë edhe brenda shtëpive të banorëve të Kombinatit.

“Gjithë këtë transformim të madh që ne i kemi bërë kombinatit, që disa vjet më parë këtu nuk kalohej dot nga balta, është një transformim që duhet ta çojmë përpara duke filluar të transformuar jetën brenda shtëpisë, jetën ekonomike të shqiptarëve dhe të familjeve të Kombinatit që jetojnë në mes të Tiranës në varfëri e në papunësi, pamundësisë për të blerë ushqimet e përditshme”, tha Rama.

Ai u kërkoi banorëve të Kombinatit votën në 8 maj, një votë që sikundër tha ai është për të ardhmen më të mirë për të mëdhenj e të vegjël.

“Kështu që, në 8 maj edhe për këtë gocën e vogël e të bukur që ke në krah, duhet të shkojmë të votojmë. Të votojmë edhe për të ardhmen e këtyre fëmijëve”, i tha kryebashkiaku Rama një banori të zonës.

Në një tjetër park, investim i Bashkisë, ku pensionistët pushojnë, Rama iu drejtua atyre se “Do i jepni dopio gjashtën në 8 maj Saliut”.

E në këtë kontekst pensionistët e kanë garantuar Edi Ramën për votën e tyre Pro “Aleancës për të Ardhmen”, ndërkohë që edhe i shprehën ankesat e tyre për pensionet shumë të vogla përballë çmimeve të ushqimeve e ilaçeve që rriten çdo ditë.

Gjatë takimit me tregtarë të Kombinatit Rama u shpreh se “duhet të rrisim fuqinë blerëse, që ta bëjmë këtë duhet të rrisim punësimin dhe konkurrencën, por edhe të shkatërrojmë monopolet dhe burimin e së keqes, që është sikundër tha Rama qeveria e cila vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë.

Një grua i është drejtuar kështu Edi Ramës: “Ju të parët. Edhe sloganin e kanë vënë së prapthi ata. Domethënë ju do e “hani” të parët. Po dhe ne mirë i themi, votën ia japim PS edhe Edi Ramës ama”, tha gruaja.

Edi Rama gjatë bisedës më të papunë u bëri thirrje edhe atyre që besojnë te flamuri i PD-së që të votojnë në 8 maj për Aleancën për të Ardhmen që të çlirojnë flamurin e tyre nga duart e pista të interesave korruptive.

mit/NOA

KOMENTE