English

Teuta Sahatçia: Shkurtuam mandatin e qeverisë Thaçi

Prishtinë, 18 prill, NOA - LDK-ja është në opozitë. Ajo i ka shkurtuar mandatin qeverisë aktuale, të drejtuar nga kryeministri Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë nënkryetarja e parë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatçia.

Zonja Sahatçia, Lidhja Demokratike e Kosovës është nënshkruese e marrëveshjes me kryeministrin Hashim Thaçi, e cila solli zgjidhjen e nyjës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Me marrëveshje parashihen edhe ndryshime kushtetuese si dhe reforma zgjedhore. Çfarë prisni konkretisht nga kjo marrëveshje dhe nga këto reforma?

LDK-ja, menjëherë pas zgjedhjeve, ka thënë se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara dhe se institucionet e dala nuk mund të kenë legjitimitet të plotë. Duke pasur parasysh që LDK-ja është parti, e cila i çmon institucionet, kemi menduar që nuk është e udhës të dalim jashtë institucioneve, por të jemi pjesë e tyre, me kusht që sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës të sillet reforma e ligjit zgjedhor dhe e Kushtetutës, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme, përmes këtij ligji dhe veprimeve të tjera, ta minimizojnë sa më shumë mundësinë e manipulimit të votave. Duke pasur parasysh se kjo mënyrë e votimit, çfarë ka qenë edhe ky ligj, i ka mundësuar partisë që ka dalë me më së shumti vota që të vazhdojë, nuk ka qenë e pritshme që Partia Demokratike e Kosovës të jetë ajo, e cila do të kërkonte ndryshimin e këtij ligji. Prandaj, mendojmë se në këtë mënyrë, LDK-ja është ajo e cila e uli Hashim Thaçin në tavolinë dhe filloi bisedimet për këto ndryshime.

A prisni se do të ketë konstruktivitet dhe bashkëpunim pozitë-opozitë për implementimin e kësaj marrëveshjeje? Kjo marrëveshje tashmë nuk është vetëm marrëveshje... Ajo është rezolutë, e cila është aprovuar me 75 vota dhe tash është në agjendën e Kuvendit të Kosovës. Përgatitjet e para për formimin e komisioneve tashmë kanë nisur dhe presim që, javën e ardhshme, këto komisione të jenë realitet dhe të niset konkretisht në punimin e ligjit të ri zgjedhor dhe të ndërrimit të nevojshëm të neneve të Kushtetutës.

Jeni kritikuar nga pjesa tjetër e opozitës se i keni dhënë një mandat shtesë kryeministrit Thaçi dhe qeverisë së tij, që të qeverisë në Kosovë edhe për dy vjet e gjysmë. Keni shpallur në fakt moratorium si opozitë gjatë kësaj kohe?

Në asnjë mënyrë. Mendoj se është një opinion i gabuar që LDK-ja është në pozitë. LDK-ja është në opozitë, vazhdon të jetë opozitë, do të jetë opozitë e zëshme, e fuqishme, çfarë nuk ka pasur Kosova deri më tash.

“Ai që di matematikë, e di që 4 është shumë më e madhe se 2.5. Prandaj, mandatin që e kanë pasur të garantuar prej katër vjetësh, tani nuk e kanë, por e kanë dy vjet e gjysmë”.

Në fakt, ai që di matematikë, e di që 4 është shumë më e madhe se 2.5. Prandaj, atë mandatin që e kanë pasur të garantuar prej katër vjetësh, tani nuk e kanë, por e kanë dy vjet e gjysmë. Çdokush që pak mendon, mund të thotë se kjo nuk është zgjatje, por, përkundrazi, është zvogëlim apo shkurtim i mandatit të qeverisë. Ka disa vlerësime se me marrëveshjen për presidenten, partitë politike nuk u treguan fer ndaj presidentes. Përderisa Parlamenti i dha asaj një mandat pesëvjeçar, marrëveshja ndërmjet partive politike parasheh zgjedhje për presidentin pas një viti e gjysmë. Është zgjedhur presidentja e Kosovës për pesë vjet apo për një mandat prej një viti e gjysmë?

Zonja presidente e ka një mundësi, e cila pak kujt i jepet. Unë shpresoj që gjatë periudhës sa do të jetë presidente, do të japë maksimumin, do të tregohet shumë e zonja dhe do të rikandidohet për të fituar edhe në zgjedhjet e ardhshme. Mendoj se kjo mundësi shumë rrallë mund t’i jepet dikujt. Ajo e ka pasur këtë privilegj dhe shpresoj se do ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë. Sa i përket kohëzgjatjes, do të shohim, shpresoj se do ta ketë edhe një mandat përveç tij.

Nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër – kryeministri Thaçi ka ftuar të gjitha partitë opozitare që të bëhen pjesë e grupeve punuese për bisedimet me Beogradin. Keni marrë një ofertë të tillë? Me çfarë kushtesh si LDK do të përfshiheshit në procesin e dialogut me Beogradin?

Kjo nuk është një çështje që ka dalë tani. Mendoj se oferta është dhënë me rastin e përpilimit të rezolutës nga ana e PDK-së dhe amendamenteve, të cilat i ka shtruar opozita. Edhe LDK-ja ka shtruar mjaft amendamente, të cilat është pritur të jenë pjesë e rezolutës. Ato amendamente të LDK-së kanë pasur të bëjnë me fuqizimin e rolit të Kuvendit të Kosovës. Fatkeqësisht, asnjëri prej tyre nuk është marrë për bazë gjatë miratimit të rezolutës. Prandaj, mund të them që kryeministri ka qenë ai që e ka përjashtuar opozitën nga pjesëmarrja apo vendimmarrja në lidhje me bisedimet, të cilat po vazhdojnë me Serbinë. Nuk e shoh se çfarë oferte mund të bëhet kur në rend të parë është refuzuar mundësia që opozita të jetë pjesë e dialogut.

Dialogu me Beogradin është parë me skepticizëm si nga analistët, ashtu edhe nga partitë politike – kryesisht ato në opozitë. Shqetësimet kryesore kanë të bëjnë me atë se a mund të rrëshqasë ky dialog në temat që kanë të bëjnë me veriun dhe sovranitetin e Kosovës. A e ndani edhe ju këtë shqetësim? A mund të bisedohet për veriun me Serbinë?

Shqetësimet janë shumë të bazuara, duke pasur parasysh që bisedimet janë nisur pa një agjendë, pa një përfshirje të Kuvendit të Kosovës. Është shumë normale që ekziston një drojë se si mund të vazhdojnë ato bisedime dhe çfarë pasojash mund të sjellin. “Kosova, me gjithë pjesëmarrjen në bisedime, nuk do të ketë kurrfarë beneficioni apo afrimi me Bashkimin Evropian”.

Në anën tjetër, ne nuk kemi kurrfarë garancish që këto do të ndikojnë edhe në rrugën e Kosovës drejt Evropës. Përkundrazi, kohëve të fundit, kemi dëgjuar qartë që Kosova, me gjithë pjesëmarrjen në bisedime, nuk do të ketë kurrfarë beneficioni apo afrimi me Bashkimin Evropian. Ndërsa, sa i përket dialogut, mendojmë se dialogu duhet të jetë teknik dhe si i tillë nuk duhet as të mendohet që të bisedohet për çështje politike, si: veriu apo kufijtë. Edhe Kushtetuta, edhe Pakoja e Ahtisarit janë dokumente, të cilat ndalojnë rreptësisht të bisedohet për këto çështje. Prandaj, veriu, territori apo sovraniteti territorial i Kosovës nuk duhet të jenë tema bisedimesh me Serbinë.

REL

KOMENTE