English

Topalli: Ejani masivisht në zgjedhje, votoni kandidatët e PD

Shkodër, 18 prill 2011, NOA – Kryetarja e Kuvendit, njëherësh Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli ka prezantuar kandidaturat e “Aleancës për Qytetarin” në komunat dhe bashkitë e qarkut të Shkodrës, duke u bërë thirrje banorëve të kryeqendrës së veriut të votojnë kandidatët e kësaj aleance në zgjedhjet e 8 majit.

Në këtë kontekst kryeparlamentarja Topalli evidentoi arritjet dhe transformimet e mëdha që kanë pësuar komunat e Shkodrës, sikundër dhe e gjithë Shqipëria falë reformave të qeverisë Berisha.

“Para pak vitesh, këtu në Velipojë s’kishte dritë, s’kishte ujë, s’kishte rrugë, s’kishte ujësjellës, s’kishte kanalizime, s’kishte argjinaturë, s’kishte perspektivë, s’kishte turizëm, s’kishte rrugë që të sillnin atë që ka sjellë Rruga e Kombit. Jo vetëm këtu në Velipojë, por në fakt kudo, në çdo cep të Shqipërisë që unë shkoj, në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo qytet, në çdo bashki, unë gjej një Shqipëri ndryshe. Ne kemi transformuar vendin tonë”, theksoi zonja Topalli gjatë takimeve me banorët e komunave të Shkodrës.

Ajo përmendi rritjen ekonomike të vendit, rritjen e pagave, pensioneve, ndërtimin e shkollave moderne, dhe infrastrukturën moderne në rrugët e vendit.

Duke premtuar se investimet për Shkodrën nuk do të ndalen nënkryetarja e PD-së u bëri thirrje banorve të komunave të Shkodrës të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 8 majit, dhe të mbështesin kandidatët e “Aleancës për qytetarin”.

“Unë me këtë rast i kërkoj secilit që të votoni për kandidaturat e “Aleancës për Qytetarin”, të votoni për Partinë Demokratike. Të bëjmë të mundur realizimin e projekteve tona të zhvillimit, të bëjmë të mundura investimet dhe të bëjmë realitet atë që secili prej jush e ëndërron për familjen e vet, për shtëpinë e vet, për fëmijet e vet, për fshatin e vet, për komunën e vet”, nënvizoi zonja Jozefina Topalli nga Shkodra.

Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli prezantoi kandidatët për kryetar komune në Hajmel, Lekë Bibaj, në Mnel Vig Pjetër Lleshi, në bashkinë e Vaut të Dejës Gjon Marku, në komunën Ana e Malit Arben Ceni, në komunën Dajç Arben Gjuraj, si dhe në bashkinë Velipojë Nikollë Marku.

mit/NOA

KOMENTE