Milano, 18 prill, NOA - Policia italiane ka sekuestruar dje rreth 1 milion euro pasuri që u përkiste trafikantëve të drogës në Shqipëri dhe në Itali. Mediat italiane shkruajnë se pasuria është e disa familjeve mafioze në Firence, por edhe klaneve të fuqishme shqiptare.
Operacioni është zhvilluar sot nga Sektori i Anti-Mafies në Bari, Milano e Firenze. Sipas policisë pasuria i përket klaneve mafioze me bazë në Vlorë, në Durrës dhe në Bar.
Makina luksoze, motorë dhe objekte luksi kanë qenë materialet e sekuestruara nga policia italiane. Sipas medieve italiane, klanet të cilave ju sekuestruan pasuritë janë ata të Ermal Mehmetit dhe Krenar Çobos.
Policia ka sekuestruar dhe aksionet në kompaninë e biznesit “Selecta srl”, me seli në Firence. Gjithashtu janë në proces bllokimi dhe disa prona dhe pasuri të paluajtshme në këtë qyet.
Pjesë e organizatës që kryente trafikun e drogës Itali-Shqipëri, sipas hetimeve janë dhe Domenico Azzone, përfaqësues i klanit “Anemolo” në Bari, Alessio Santini, trafikant nga Toskana dhe dy shqiptarët, Riza Bleta e Aleks Nikolli.
Sekuestrimi i policisë nisi pasi gjatë hetimeve të disa të dyshuarve, ku u vu re një mos përputhje mes të ardhurave që deklaronin dhe pronave që kishin.
NOA