Bashkimi Evropian qëndron në tre shtylla. Ai mbështetet në liri dhe demokraci; paqe dhe tregti të lirë. Një bashkim lirie dhe demokracie. Një bashkim paqeje. Një bashkim tregtie të lirë. Nëse i kompromentojmë këto parime, atëherë paqja dhe tregtia e lirë do të jenë në rrezik
Nga Etore Sekui
Jam shumë i lumtur që jam këtu sot në mes të të rinjve dhe në një qytet, i cili më ka hyrë në zemër qysh herën e parë që e kam vizituar në vitin 2000. Studentë, është frymëzuese që të jesh këtu për të diskutuar mbi të ardhmen, mbi energjinë e përparimit dhe zhvillimit të këtij vendi!
Unë kam një djalë të moshës që ka të njëjtën moshë si ju. Ai është student në Universitet. Ai po ndërton tani të ardhmen e vet, ashtu siç po bëni edhe ju. Jam I sigurt që ai ndan me ju shumë nga dëshirat tuaja dhe problemet; aspiratat dhe dëshirat. Dhe ashtu si dhe prindërit tuaj unë ëndërroj për të një të ardhme demokratike, të begatë dhe të paqme.
Ajo që i them tim biri është; çfarëdo që mëson, ngulite në mendje, sepse askush nuk do të mundë të ta marrë më. Dhe këtë do të doja t’ua thoja edhe ju.
Rinia shqiptare është më afër se kurrë vërsnikëve të vet evropianë. Tani ju po gëzoni një liri shumë herë më të madhe lëvizjeje, por liberalizimi i vizave është veç një pjesëz e kuadrit të madh.
Për shumë të rinj, Evropë do të thotë liria për të shkuar aty ku doni, liria për të ndjekur zemrën tuaj. Jo një vend, por një kontinent plot me mundësi.
Studentë si ju gëzojnë mundësinë që të studiojnë nëpër universitete të njohura evropiane apo të shkëmbejnë përvojat me studentë evropianë nëpërmjet Programit “Erasmus Mundus” dhe atij “Tempus”. Që të dy programet janë mundësuar nga fondet e Bashkimit Evropian për t’ju përafruar gjithnjë e më shumë me ne.
Liberalizimi i vizave është një hap i rëndësishëm. Por është vetëm hapi i parë në rrugën drejt Evropës. Do doja ta theksoja këtë këtu, në Vlorë, rinia e së cilës ka vuajtur shumë për të arritur aspiratën për t’u afruar me Evropën. Gjithë këtë e kam diskutuar edhe më parë me Presidentin Topi.
Bashkimi Evropian qëndron në tre shtylla. Ai mbështetet në liri dhe demokraci; paqe dhe tregti të lirë. Një bashkim lirie dhe demokracie. Një bashkim paqeje. Një bashkim tregtie të lirë.
Nëse i kompromentojmë këto parime, atëherë paqja dhe tregtia e lirë do të jenë në rrezik.
Mbi këto baza, ne, evropianët kemi përcaktuar vlerat tona, përpunuar politikat dhe rifreskuar besimin tonë.
Një rini aktive, një rini që ka mundësinë të udhëtojë, një rini që është në gjendje të arsimohet nëpër universitete dhe shumë konkurruese, është një rini vitale dhe politike.
Dëshiroj që të qartësoj menjëherë se kur them “politike” nuk e kam fjalën për partitë politike apo vetëm për partitë politike. Për ta thënë më thjeshtë, ju jeni të interesuar për mënyrën se si qeveriseni. Demokracitë kanë nevojë që qytetarët e tyre t’u kushtojnë një interes të tillë.
Pa një interes të tillë, ju nuk mund të keni dijeni për politika, të cilat ndikojnë në jetën tuaj; ju nuk mund të merrni pjesë në hartimin e politikave ndikuese në jetën tuaj dhe nuk mund t’u kërkoni llogari qeverisjeve tuaja vendore apo qendrore.
Pa një interes të tillë, ju nuk keni vlerë, nuk llogariteni dhe e vetmja mënyrë për t’i bërë demokracitë funksionale është që ju vetë të keni vlerë, të luani rol dhe të keni peshë.
Russell Dalton, një profesor i famshëm i Shkencave Politike në Universitetin e Kalifornisë shkruan në librin e tij “ Qytetari i mirë”:
“Democracia duhet të jetë një festë e publikut të përfshirë. Democracia kërkon një qytetari aktive sepse nëpërmjet diskutimit, interesit publik dhe përfshirjes në politikë mund të përcaktohen dhe arrihen qëllimet e shoqërisë. Po si e masim përfshirjen e publikut? Më së shumti nga pjesëmarrja në zgjedhje.
Ju, miqtë tuaj, prindërit, bashkatdhetarët e tjerë do të keni mundësinë t’i jepni vlerë vetes në një mënyrë tepër të dukshme më 8 maj, ditën e zgjedhjeve vendore.
Figura kyçe të Bashkimit Evropian kanë ritheksuar gjatë javëve dhe ditëve të fundit rëndësinë e një sjelljeje të denjë gjatë zgjedhjeve vendore. Ne kemi kërkuar që zgjedhjet vendore të përmbushin standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Ne kemi bërë thirrje për qetësi; kemi bërë thirrje për qytetari dhe u kemi kërkuar aktorëve politikë në Shqipëri që të garantojnë kushtet për të mundësuar votën tuaj të lirë e të ndershme. Mënyra e mbajtjes së zgjedhjeve ravijëzon jetën afatgjatë politike. Por ajo ka gjithashtu ndikim në rrugën e integrimit evropian.
Përveç qetësisë dhe pjekurisë, kjo është edhe koha për largpamësi. Kjo është koha kur aktorët politikë duhet t’ju paraqesin e t’ju bindin për përfytyrimet e qyteteve dhe fshatrave, të politikave dhe planeve të tyre.
Por puna nuk mbaron këtu. Puna juaj dhe e tyre nuk mbaron thjesht me rezultatet e zgjedhjeve. Fjalët dhe premtimet duhet të përmbushen me vepra dhe kjo duhet të zbatohet gjatë gjithë kohës!
Fjalët për qetësi dhe pjekuri duhet të përmbushen me veprime, të cilat të jenë të qeta dhe të pjekura! Fjalë përfytyrimesh, përparimi dhe zhvillimi duhet të përmbushen me veprime që do t’i shndërrojnë në realitet ato përfytyrime.
Edhe një herë, dëshiroj ta theksoj këtë, kjo nuk është thjesht puna e kryebashkiakëve tuaj – kjo është edhe puna juaj. Si qytetarë, ju duhet t’i kushtoni vëmendje bashkisë suaj, këshillit bashkiak apo komunës! Ju duhet që t’u kërkoni llogari gjithmonë qeverisësve tuaj! Ju duhet që të merrni pjesë gjithmonë në vendim-marrjet e qytetit apo fshati tuaj! Ju duhet të kërkoni gjithmonë që politikat të zbatohen e të vihen në jetë ose që të mos zbatohen, sepse ju duhet që të thoni fjalën tuaj e të keni rëndësi ngahera!
Rëndësia që Bashkimi Evropian i kushton aftësisë dhe mundësisë suaj për të votuar të lirë dhe të drejtës suaj për ta numëruar votën tuaj siç duhet, shprehet qartë në opinionin e Komisionit Evropian të vitit të shkuar, në deklaratat e të gjithë udhëheqësve të Bashkimit Evropian si dhe në dialogun tonë të përditshëm me ju dhe klasën tuaj politike.
Mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve përbën njërën prej dymbëdhjetë prioritetet kyçe në Opinionin e Komisionit Evropian. Njëmbëdhjetë të tjerat kanë gjithashtu të bëjnë me cilësinë e demokracisë suaj dhe me cilësinë e vetë jetës suaj.
Çështje të tilla si një Parlament funksionues, shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut nuk janë edhe aq periferike për jetën tuaj të përditshme. Këto janë disa shembuj të shumtë, për të parë se si politikat qendrore dhe ato vendore ndikojnë mbi jetën tuaj.
Këto çështje i kemi renditur si fusha përparësore për qeverinë shqiptare dhe aktorët politikë shqiptarë, në mënyrë që ata t’i zgjidhin. Çështja më urgjente është mënyrë e zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Në këtë pikë, unë do ta përsëris, sepse ka nevojë për përsëritje, që fjalët duhet të përkthehen në vepra.
Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar në këtë proces.
Por përgjegjësia për të vënë në jetë masat e duhura që ju të shkoni në Evropë, përfshirë zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbetet në dorën e Shipërisë.
Shpresoj që ky proces do të mobilizojë të gjitha energjitë-që ekzistojnë në këtë vend, tek shqiptarët, për të plotësuar synimin tonë të përbashkët, integrimin evropian.
Jam i sigurtë që ju të gjithë i ndani këto ndjenja dhe shpresoj me të vërtetë që si periudha para-zgjedhore, ashtu edhe ajo pas-zgjedhore, do të përmbushin pritshmëritë tuaja dhe tonat njëkohësisht!
Dhe për këtë është i nevojshëm vullnet i sinqertë dhe vendosmëri.
Dhe këtë ndjeva sot mes njerëzve që takova këtu. E ndjeva në dorështrëngimet dhe e pashë në fytyrat tuaja.
* Fjala e ambasadorit të BE-së, në universitetin “Ismail Qemali” në