English

Basha: Do të vlerësojmë pronën e çdo pronari autokton

Tiranë, 19 prill 2011, NOA – Kandidati i “Aleancës për qytetarin” për kryebashkiak në Tiranë Lulzim Basha gjatë takimit me banorë të njësisë bashkiake nr. 8 premtoi sot se do të vlerësojë pronën e çdo qytetari tiranas. Kandidati Basha garantoi se “Ne do t’u japim pronarëve autoktonë dhe çdo pronari tjetër në Tiranë, mundësinë të zhvillojë pronën e tij me koefiçentin më të lartë të mundshëm të zhvillimit dhe të marrë prej tij frytet më të mëdha të mundshme”.

Ai vërejti se nuk do të lejojë praktikën e deritanishme që “kujt t’i bjerë bixha të bëhet milioner, e dikujt tjetër t’i takojë t’i shohë pronat t’i kthehen në baltë e në pluhur”.

Basha e bëri këtë premtim për pronën teksa u rikthye në lagjen ku u rrit, këtë herë si kryetar i ardhshëm i Bashkisë ku ai përjetoi edhe një emocion të veçantë.

Kandidati Basha tha se këto rrugica ku u rrit mbeten gjëja më e shenjtë për shpirtin e tij. “Zemra ime, sytë e mi, veshët e mi, gjithë ekzistenca ime është drejtuar drejt realizimit të projektit të qytetarëve të mi dhe unë do të merrem vetëm e vetëm me këtë punë. Këto vlera, kjo dashuri, mes të cilës unë u rrita, kjo edukatë qytetare, mes së cilës përpara jush këtu, nga kjo lagje, nga kjo rrugicë dhe nga dhjetëra qindra si këto anë e mbanë Tiranës nis projekti im për Tiranën moderne evropiane”, siguroi Basha.

Ai premtoi se do të marrë zgjidhje edhe një nga problemet më të mëdha në Tiranë, furnizimi me ujë, dhe kanalizimet e ujërave të zeza.

Basha garantoi se akti i tij i parë i tij si kryebashkiak do të jetë marrja në administrim e ujësjellës-kanalizimeve.

“Për kundërshtim me heqjen e përgjegjësisë nga vetja, nuk është pranuar të marret në dorëzim ujsellës-kanalizimet për më shumë se dy vjet. Po ju them se transferimi i tyre nën varësinë e kryetarit të bashkisë së Tiranës do të jetë një ndër veprimet e mija të para si kryebashkiaku juaj i ardhshëm”, premtoi kandidati demokrat për Tiranën.

Këtu ai theksoi se “në tre muajt e parë të qeverisjes sime do të vë në lëvizje, projektin e ujësjellës-kanalizimeve që vetë e negociova në 2006-ën si ministër i Transporteve, duke investuar 100 milionë euro për të gjithë Tiranën”, tha Basha.

Ai i garantoi banorët e Tiranës se do t’i jepet fund njëherë e përgjithmone praktikës së pagimit të taksave dhe mungesës së shërbimeve nga bashkia.

mit/NOA

KOMENTE