English

Basha: Qytetarët do paguajnë vetëm 1 biletë, e do lëvizin me çdo linjë urbani

Tiranë, 19 prill 2011, NOA- Kandidati për kryebashkiak i maxhorancës për kryeqytetin, Lulzim Basha gjatë ditës së sotme ka bërë një udhëtim me linjat e autobuzëve të kryeqytetit.

Ndër shqetësimet e banorëve ishin kushtet e këqija të autobusëve të kësaj linje si dhe kohëzgjatja e një udhëtimi me ta.

Edhe këtyre qytetarëve Basha u kujtoi premtimin për ndërtimin e një tramvaji, madje shtoi se do të shtohen linjat edhe gjatë orëve të natës.

“Taksat paguhen, çmimi i biletave paguhet, por nuk ka menaxhim i cili në qendër të vëmendjes të ketë cilësinë e udhëtimit të qytetarëve të Tiranës. Tramvaji do të jetë një zgjidhje brenda arterieve kryesore. Brenda 12 muajve të parë do të nisin punimet për tramvajin Kinostudio-Kombinat. Duhet patjetër që shërbimi urban në periferi të vazhdojë deri në oraret që vijon edhe në qendër të qytetit”, tha Basha.

Ndër të tjera kandidati i maxhorancës tha se sapo ai të vijë në pushtet qytetarët do të lëvizin me një biletë të vetme me të gjitha linjat e transportit urban.

Sakaq ai shprehu vendosmërinë e tij për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, madje shtoi se efiçenca e menaxhimit të trafikut tregohet edhe me ndërhyrje të vogla, siç do të jenë nënkalimet tek 21 Dhjetori dhe riparimi i këtij rreth-rrotullimi.

Basha theksoi se edhe ndërtimi i parkimeve të nëndheshme do të jetë pjesë përbërëse e platformës në ndërhyrjet në qytet, deklaroi Basha në rreth-rrotullimin e “Doganës” në Laprakë.

Më tej ai u shpreh se, “Sistemi i transportit do të thjeshtohet në mënyrë që qytetari me biletën e prerë, brenda 1 ore, brenda 2 ore, brenda 3 ore, sipas tarifës, të ketë mundësi të qarkullojnë në të gjithë qytetin me një biletë”.

Ndërsa në një takim me taksistët e kryeqytetit ai u tha atyre se në Tiranë do ti jepet fund praktikës së pagesës së taksave pa marrë shërbimin.

Basha deklaroi: “Unë propozoj heqjen e taksës së gjelbërimit dhe përgjysmimin e taksës së pastrimit për taksistët. Shtimin e vendqëndrimeve për taksistët dhe përmirësimin e kushteve të vendqëndrimit. Taksën e vend-parkimit do ta ndryshojmë në mënyrë të tillë e para e punës të jetë e arsyeshme dhe e përballueshme për taksistët dhe e dyta të paguhet vetëm kur ka një vend që ju e përdorni, sepse ka vende që ju nuk i përdorni. Pra do t’i japim fund praktikës së marrjes së 276 mijë lekëve ku nuk garantohen as kushtet më të vogla për vend parkime”.

a.y/NOA

KOMENTE