English

Basha: Urbanët e Tiranës, një biletë e vetme për të gjitha linjat

Tiranë, 19 prill 2011 NOA - Shqetësimet e vazhdueshme që i janë bërë prezent nga qytetarët e Tiranës për transportin publik dhe trafikun, Lulzim Basha i ka parë sot nga afër. Ai ka udhëtuar gjatë paradites me linjën Kombinat–Kinostudio, ku qytetarët i kanë bërë të ditur se çdo ditë u duhet të udhëtojnë mbi 45 minuta deri në qendër të Tiranës dhe në kushte shumë të këqija.

“Udhëtimi për në qendër zgjat një orë e gjysmë. Ka aksidente shumë kjo rrugë”, i tha një banore Bashës në autobuz. ”Unë jam nga Tepelena dhe kam ardhur në vitin ‘98 në Kombinat. Kombinatin e kam gjetur me këto autobuza dhe po vazhdojmë të ecim po me këto autobuzë. Ishalla e bën atë punën e tramvajit që të shpëtojë i gjithë ky komunitet”, i tha një banore tjetër Bashës. “Këto janë autobuza të shkatëruar dhe nuk dimë të hipim njëherë si njerëz. Vishemi për të shkuar në punë dhe kthehemi qelbur” tha një banore tjetër.

Basha ka paraqitur platformën e tij, ku parashikohet edhe tramvaji. Po kështu, Basha tha se orari i transportit në periferi do te jetë i njëjtë me atë në qendër. Edhe në skajet e Tiranës do të ketë shërbim transporti në orët e vona të natës.

“Taksat paguhen, çmimi i biletave paguhet, por nuk ka menaxhim i cili në qendër të vëmendjes të ketë cilësinë e udhëtimit të qytetarëve të Tiranës. Tramvaji do të jetë një zgjidhje brenda arterieve kryesore. Brenda 12 muajve të parë do të nisin punimet për tramvajin Kinostudio-Kombinat. Duhet patjetër që shërbimi urban në periferi të vazhdojë deri në oraret që vijon edhe në qendër të qytetit”, tha Basha.

Për të lehtësuar trafikun Lulzim Basha parashikon në platformën e tij ndërtimin e Unazës së Madhe, një nënkalim tek 21 Dhjetori, vend-parkime nëntokësore etj. Po kështu, Basha tha se qytetarët e Tiranës do të udhëtojnë me një biletë të vetme në të gjitha linjat.

“Llogaritja për t’i marrë taksën me sa di unë bëhet nëpërmjet biletave, por pasi kalon ora 10 asnjëherë nuk jepet bileta. Si i kërkon tatimet Kryebashkiaku?! Dhjetë vjet të jesh në qendër të Tiranës dhe të dalësh me këmbët me baltë – më duket një turp i paparë. Çfarë taksash duhet t’i paguaj këtij njeriu” tha një banore.

“Jam i vendosur që në krye të Bashkisë, Unazën e Madhe të Tiranës të filloj ta ndërtoj një orë e më parë dhe jam i vendosur që të mos lejoj që ndërhyrjet e politikës të bllokojnë më procesin e ndërtimit të Unazës së Madhe. Efiçenca e menaxhimit të trafikut tregohet edhe me ndërhyrje të vogla, siç do të jenë nënkalimet tek 21 Dhjetori dhe riparimi i këtij rrethrrotullimi – sepse mënyra se si ky investim është bërë është e gabuar dhe jep impakt të drejtpërdrejtë në bllokimin e trafikut që në hyrje të Tiranës. Ndërtimi i parkimeve të nëndheshme do të jetë pjesë përbërëse e platformës time në ndërhyrjet në qytet”, tha Basha teksa shihte nga afër gjendjen e trafikut tek rrethrrotullimi i “Doganës” në Laprakë.

Ndërkohë, një banor tjetër shpreh një tjetër shqetësim. “Nga Zogu i Zi deri tek rrethrrotullimi i “Doganës” ka vdekje për ditë duhet nënkalime ose mbikalime”. Basha u angazhua se do të nisë urgjentisht investimi për të ndërtuar nënkalime për të lidhur këto pjesë rruge.

Përveç kësaj, kandidati për kryebashkiak në Tiranë bëri të ditur një sistem të ri që do të përdoret në transportin urban. “Sistemi i transportit do të thjeshtohet në mënyrë që qytetari me biletën e prerë, brenda 1 ore, brenda 2 orësh, brenda 3 orësh, sipas tarifës, të ketë mundësi të qarkullojë në të gjithë qytetin me një biletë të vetme”, tha Basha.

e.t/NOA

KOMENTE