Cerrik, 19 prill 2011, NOA- Investimet në Shqipëri në katër vite, autostrada Tiranë- Elbasan, dhe tuneli i Krrabës sipas Kryeministrit Berisha do bëjnë që qytetarët e Cerrikut të kenë më shumë mundësi për të ardhmen e tyre, duke shtuar mundësitë për qytetarët, deklaroi Kryeministri Berisha.
Lidhur me rrugën e ndjekur nga opozita socialiste ai tha se rruga e vetme e tyre e shpallte si kriminale rritjen e rrogave dhe pensioneve të qytetarëve dhe synonte ta fuste vendin në krizë ekonominë në një kohë që sipas shefit të maxhorancës, Shqipëria ishte në lulëzim ekonomik.
“Ajo alternativë bën gjithçka që të mbyllë në kuti lëvizjen tuaj të lirë, bën gjithçka që të bllokojë integrimin e Shqipërisë, ajo është rrugë pa kthim. Unë i ftoj qytetarët e të gjitha bindjeve t’ia lënë shokut Edi Rama atë rrugë, i cili duke ecur do të gjejë Ramizin e pak më tutje Enverin, kurse ne jemi të betuar të mos pranojmë kurrë të shkuarën. Ne jemi betuar që me vlerat tona të ecim përpara”, deklaroi kreu i qeverisë.
Nga qyteti i Cerrikut ai u bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen në shtëpinë e qytetarëve, pasi sipas tij, ajo i nxë të gjithë, ajo është shtëpia e moralit e vlerave.
Ai e cilësoi 8 majin si një provë të madhe të qëndrimit ndaj lirisë.
“Unë u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që në këto zgjedhje të shkojnë si njerëz të qytetëruar dhe të kenë respekt të plotë për votën e tjetrit, u bëj thirrje që të shmangin çdo lloj dhune dhe konflikti, flamujt e partive politike janë flamujt e pluralizmi shqiptar, dhe pluralizmi është thelbi i demokracisë. Drejtuesit e partive politike të heqin dorë nga fjalët e kazanit, pasi ato nuk përputhen me fjalët dhe vlerat e qytetarqve, u bëj thirrje që këtë fushatë ta bëjnë fushatën më evropiane që është bërë ndonjëherë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në mbyllje të fjalës së tij kreu i maxhorancës tha se në Cerrik në katër vitet e ardhshme do të investohet 6 herë më shumë dhe se qeveria do mbështesë kryebashkiakun Sevet Duzha për modernizmin e qytetit dhe zhvillimin e tij si një qytet model dhe të këndshëm për qytetarët e tij.
Shefi i maxhorancës bëri thirrje që më 8 maj të votohet alternativa e qytetarit, pasi shtoi ai për koalicionin qeverisës, qytetarët dhe familjet janë të parët dhe Shqipëria është e para.
a.y/NOA