Tiranë, 19 prill 2011, NOA- Deputeti socialist njëherësh nënkryetari i grupit parlamentar Erion Braçe në një deklaratë për mediat u shpreh se, kandidati i maxhorancës Lulzim Basha gënjen lidhur me taksat.
“Lulzim Basha ka 3 javë që po ju thotë qytetarëve se paguajnë 82 taksa në Tiranë. Ky është mandat arkëtimi i taksave të paguara nga zonja Liri Berisha: janë vetëm 3 taksa, në vlerë 9180 lekë ose 765 lekë në muaj ( për shkak të shtëpisë 175 metra katrore). Ky është mandat arkëtimi i taksave të paguara nga zoti Shkëlzen Berisha: janë vetëm 2 taksa, në vlerë 5500 lekë ose 458 lekë në muaj. Ky është mandat arkëtimi i taksave të paguara nga zoti Sokol Olldashi: janë vetëm 3 taksa, në vlerë 7600 lekë ose 633 lekë në muaj. Lulzim Basha gënjen!”, deklaroi deputeti socialist.
Sipas Braçes, sot në Tiranë çdo familje paguan vetëm 3 taksa në muaj dhe vlera mesatare e tyre arrin në 550 lekë.
Më tej ai tha, se sot në Tiranë, çdo familje i paguan 550 lekë në muaj Bashkisë, ndërkohë që një familje me të ardhura mesatare i paguan 35000 lekë në muaj qeverisë, pra 70 herë më shumë.
Braçe theksoi se, në çdo 100 lekë taksa, një familje në Tiranë 1.6 lekë ia paguan Bashkisë dhe 98.4 lekë ia paguan Qeverisë.
Ai e cilësoi kandidatin Basha si të humbur që në fillim, pasi e ka nisur garën me gënjeshtra.
a.y/NOA