Durrës, 19 prill 2011, NOA- Kryetari i Bashkisë së Durrësit, njëherësh kandidat i Partisë Socialiste për ta rifituar atë post në zgjedhjet vendore të 8 majit, Vangjush Dako, në vijim të takimeve të tij, ka zgjedhur të prezantojë projekte që kapin shifra prej 37 milion lekësh të reja.
Dako gjatë bashkëbisedimit me banorët ka nënvizuar se lagja nr. 14 gjatë katër viteve që vinë do t’i nënshtrohet një ndryshimi tërësor për sa i përket infrastrukturës, kanalizimeve, ndriçimit etj.
Në fjalën e mbajtur me banorët, kandidati për qytetar të parë i socialistëve tha se, “Bashkia e Durrësit ka bërë një studim për lagjen nr. 14, me qëllim për të ndërhyrë me efikasitet në përmirësimin e situatës në këtë zonë. Pas këtij studimi Bashkia ka akorduar edhe fondet përkatëse që llogariten në miliona lek, të cilat do të krijojnë një imazh të ri për të gjithë zonën. Projekti për lagjen nr. 14 parashikon një investim prej 2 milion lekësh të reja për rrugën “Mustafa Pash Bushati”, 25 milion lekë të reja për rrugën “Vath Truja” dhe 10 milion lekë të reja për rrugën “Koço Miho”.
Ai u kërkoi votën banorëve të asaj zonë, duke thënë se përfaqëson kryebashkiakun e premtimeve të mbajtura.
Sipas Dakos, rivali i tij Ferdinand Xhaferri ecën me shpifje, mashtrime por pa projekte.
“Më 8 maj ju keni përballë dy modele qeverisje i imi si kryebashkiak i cili jam një njeri i fjalës dhe premtimeve të mbajtuara, dhe Xhaferrajt që përfaqëson jo vetëm një ministër të dështuar, por edhe një qeveri të dështuar. Ai përfaqëson një qeveri që ka sjellë shumë plagë sociale si papunësinë, dhunimin e pushtetit lokal, bllokimin e këshillit bashkiak nga PD-ja, korrupsionin me dhe pa bllok në dorë etj”, deklaroi Dako.
a.y/NOA