English

E plotë- Berisha në Cerrik: Me rrugën e vetme Rama do gjejë Ramizin e Enverin

Cerrik, 19 prill 2011, NOA- (Update) Kryeministri Berisha gjatë çeljes së fushatës në Cerrik u bëri thirrje partive politike që të shmangin çdo nxitje për debat dhe dhunë, si dhe kërkoi që fushatë e zgjedhjeve të 8 majit, të jetë fushata më e mirë që është bërë ndonjëherë në Shqipëri.

Nga ky qytet ai prezantoi Servet Duzhën si kandidat për të fituar bashkinë e Cerrikut, duke thënë se nën drejtimin e tij ky qytet do të behet modern dhe i zhvilluar.

Lidhur me ndërtimin e autostradës “Tiranë- Elbasan” dhe tunelin e Krrabës ai tha se, “Autostrada, shkurton mbi dy herë kohën tuaj për në kryeqytet, prodhimet tuaja për në tregun madh, valorizon mbi dy herë, vlerat, tokën dhe pasuritë tuaja.”

Më tej shefi lideri i maxhorancës tha se, alternativa e rrugës ë vetme është alternativa e të shkuarës, alternativë që nuk ka të ardhme, madje e cilësoi si një rrugë pa kthim.

“Ftoj qytetarët e të gjitha bindjeve që t’ia lëmë shokut Edi Rama këtë rrugë, se duke ecur do të gjejë Ramizin, pak më tutje do të takojë Enverin, kurse ne jemi të betuar të mos pranojmë kurrë të shkuarën, për të ardhmen tonë. Ne jemi të betuar që të bashkohemi si qytetarë, me vlerat tona, me besimin tonë, me interesat tona, me vizionin tonë për Cërrikun modern, për Shqipërinë moderne, për Cërrikun qytet të zhvilluar, për Shqipërinë vend të zhvilluar”, deklaroi Kryeministri.

Ai u bëri thirrje nga Cerriku qytetarëve që të bashkohen të gjithë me shtëpinë e qytetarëve, në shtëpinë e shqiptarëve, duke e cilësuar atë si nj shtëpi vlerash.

Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:

I dashur zoti Servet Duzha, kandidat për kryetar bashkie i “Aleanca për qytetarin”, për qytetin e Cërrikut,

Së pari ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time që paraqes sot para jush kandidat për qytetar tuaj të parë, inxhinierin e talentuar, njeriun intelektual, birin tuaj të shquar, zotin Servet Duzha dhe jam këtu për tu garantuar ju se ne 4 vite së bashku me Servet Duzhën, së bashku me ju do të shndërrojmë Cërrikun në një qytet modern të zhvilluar, do ta shndërrojmë Cërrikun në një qendër të rëndësishme te zhvillimit tërësor në këtë rajon.

Së bashku me Servet Duzhën do të ndërtojmë dhe rindërtojmë infrastrukturën më moderne, në këtë qytet , rrugët dhe rrugicat e tij, kanalizimet dhe ujësjellës, fushë sporti dhe pallat kulture, qendër shëndetësore dhe të gjitha shërbimet më të përparuara, më moderne që ju meritoni.

Zonja dhe zotërinj,

Qytetari juaj i parë, kryetari i bashkisë është qeveritari juaj më i rëndësishëm është qeveritari juaj, i cili me qëndrimet e tij mund të shndërrojë bashkinë, Cërrikun në një gjenerator të madh të punësimit tuaj, janë taksat me të cilët kryetari i bashkisë mund të ndihmojë më shumë se kushdo tjetër, lulëzimin, zgjerimin, krijimin e bizneseve të reja. Është kryetari i bashkisë dhe bashkia administratorët e vërtete te territorit që mund të tërheqin jo dhjetëra, por qindra milion dollarë investime, në qytetet dhe komunat e vendit.

Unë ju garantoj se do të mbështes fuqishëm zotin Servet Duzha, që me praktika transparente, të thjeshta mund të bëjë disponibël çdo pëllëmbë tokë, të këtij qyteti,dhe përreth tij, për të gjitha investimet, qofshin ato industriale, qofshin ato bujqësore dhe çdolloj tjetër.

Është qeveritari juaj i parë, qytetari juaj i parë, që së bashku me ju mund ti japë një zhvillim të madh artit dhe kulturës në qytetin tuaj. Unë jua garantoj se qeveria do ta mbështesë tërësisht. Është qytetari juaj i parë, kryetari juaj i bashkisë, ai i cili do të vendosë transparence absolute në çdo qindarkë të taksave tuaja, në çdo vendim që do të marrë , në çdo leje ndërtimi që do të japë. Është kryetari juaj i bashkisë që do të bëjë planin e zhvillimit të qytetit dhe që me përparësi do tja miratojë Këshilli Kombëtar i Zhvillimit të territorit.

Qytetarë dhe qytetare të Cërrikut,

Këto vite nuk kanë qenë vite të thjeshta për ju, kanë qenë vite me sakrifica, vite me mundime, por kanë qenë vite të sukseseve dhe të arritjeve me të cilat çdo shqiptar, çdo qytetar krenohet dhe ne nuk do ti ndajmë kurrë qytetarët në tanët dhe të tyret, në ju dhe në ata, në ne dhe ata. Për ne qytetarët janë një dhe vetëm një.

Çdo qytetar ndihet krenar, se së bashku ne, me mundin, djersën, përkushtimin tonë ia dolëm që Shqipërinë, vendin më të izoluar ta shndërrojmë në vendin anëtar të NATO-s, në vendin me sigurinë dhe besimin më të lartë, së bashku ne ia dolëm që shqiptarët, njerëzit më të izoluar të kontinentit 20 vite më parë, të lëvizin sot, të lirë në mbarë Evropën. Ne njerëzit që u përballëm me vështirësi, me sakrifica, me djersë dhe mundim ia dolëm që ekonominë shqiptare tërësisht të falimentuar ta shndërrojmë në një nga ekonomitë entuziaste, më solide në Evropë. Ekonomia e këtij vendi ka 3 vjet rresht që qëndron në krye të rritjes ekonomike të Evropës dhe më gjerë.

Ne qytetarët e Cërrikut dhe të mbarë Shqipërisë, me përkushtim, me mund dhe djersë, me reforma të thella ia dolëm që Shqipërinë e investimeve të ndaluara ta shndërrojmë në një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja. Vetëm pak kilometra larg jush do të nisin projektet për ndërtimin e kaskadës së Devollit, projektit më të madh në Evropë, ku do të punësohen me qindra e qindra burra dhe gra të qytetit të Cërrikut.

Së bashku ne ia dolëm që këto 5 vitet e fundit të dyfishojmë pensionet e ulëta në mbarë Shqipërinë, të mbidyfishojmë rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve.

Vëllezër dhe motra,

Ne nuk e kemi patur rrugën të shtruar me lule, se kemi patur një bulevard të tillë dhe ende se kemi, por kemi rrugë të sigurtë, kemi rrugë dinjiteti, kemi rrugë në të cilën ne çdo ditë ndërtojmë të ardhmen tonë.

Shqipëria këto vite me mundin, djersën tuaj, me punën tuaj ia doli të ndërtojë veprat më të mëdha të kohërave. Në fund të këtij muaji nisin punimet e autostradës Tiranë-Elbasan, e tunelit të Kërrabës, me të cilën Elbasani dhe ju bashkoheni pothuaj me Tiranën. Autostrada shkurton mbi dy herë kohën tuaj për në kryeqytet, prodhimet tuaja për në tregun madh, valorizon mbi dy herë, vlerat, tokën dhe pasuritë tuaja.

Këto vite ne ia dolëm të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 8 mijë km rrugë, mbi 1200 shkolla mbi qindra kilometra kanalizime dhe ujësjellës. Kurrë ky vend nuk ka ndërtuar, nuk ka investuar, sa çka ndërtuar këto vitet e fundit.

Kjo është alternativa jonë, krahas kësaj shëtit nëpër Shqipëri alternativa e rrugës së vetme. Le të ndalemi dhe të mendojmë për një moment. Alternativa e rrugës së vetme për shqiptarët mbi 30 vjeç e sipër ishte alternativa e varfërisë, mjerimit, shtypjes, izolimit dhe këtë alternativë shqiptarët nuk do ta përqafojnë ndonjëherë. Ata janë ndarë njëherë e përgjithmonë nga rruga vetme e të shkuarës së tyre të hidhur.

Por le të analizojmë pak se cila ishte alternativa e rrugës së vetme këto vitet e fundit. Alternativa e rrugës së vetme, të dashur qytetarë dhe qytetare, ishte alternativa, e cila shpallte kriminale rritjen e rrogave dhe të pensioneve tuaja, alternativë e cila deklaronte se ekonomia shqiptare ishte në krizë dhe në falimentim, ndërkohë që ajo kryesonte rritjen ekonomike ne botë. Alternativë, e cila bën gjithçka që të ndryjë në kuti vizat tuaja, lëvizjen tuaj të lirë, alternativë e cila bën gjithçka që të bllokojë procesin e integrimit tuaj në BE. Alternativa e rrugës ë vetme është alternativa e të shkuarës, alternativë që nuk ka të ardhme. Kjo është rrugë pa kthim.

Ftoj qytetarët e të gjitha bindjeve që t’ia lëmë shokut Edi Rama këtë rrugë, se duke ecur do të gjejë Ramizin, pak më tutje do të takojë Enverin, kurse ne jemi të betuar të mos pranojmë kurrë të shkuarën, për të ardhmen tonë. Ne jemi të betuar që të bashkohemi si qytetarë, me vlerat tona, me besimin tonë, me interesat tona, me vizionin tonë për Cërrikun modern, për Shqipërinë moderne, për Cërrikun qytet të zhvilluar, për Shqipërinë vend të zhvilluar.

Ndaj dhe këtu nga Cërriku ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bashkoheni me shtëpinë e qytetarëve, në shtëpinë e shqiptarëve. Ajo i zë të gjithë, tek ajo ka vend për çdo qytetar, për çdo shqiptar. Kjo është shtëpia e vlerave, e moralit, e interesave, e vizionit, e përkushtimit , e besimit të shqiptarëve tek vetja, tek familja, njëri-tjetri, Shqipëria.

Qytetarë dhe qytetare të Cërrikut,

8 maji është prova jonë, prova madhe e qëndrimit tonë ndaj lirisë, ndaj dhe unë ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që në këto zgjedhje të shkojmë si njerëz të qytetëruar, si burra dhe gra, si djem dhe vajza që kemi respekt të plotë për votën e lirë, për votën e tjetrit. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të shmangim çdo lloj dhune, çdo lloj eksesi, çdo lloj tensioni.

Flamujt e partive politike janë flamujt e pluralizmit shqiptarë dhe ne jemi qytetarët e pluralizmit, ne e duam pluralizmin politik dhe konsiderojmë atë lokomotivë e zhvillimit, lokomotivën e demokracisë shqiptare.

Ju bëj thirrje drejtuesve të forcave politike të heqin dorë nga fjalët e kazanit, sepse ato nuk pajtohen me moralin, me vlerat, me fjalorin qytetar. Të shmangim çdo lloj nxitje, të bëjmë gjithçka që kjo fushatë të jetë fushata më evropiane që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë.

Qytetarë dhe qytetare të Cërrikut,

E mbyll fjalën time duke ju garantuar ju se 4 vitet që vijnë në këtë qytet qeveria shqiptare do të investojë 6 herë më shumë se 4 vitet që shkuan , se qeveria do të mbështesë qytetarin tuaj të parë, zotin Servet Duzha në të gjithë përpjekjet e tij për thithjen e investimeve të huaja, për krijimin vendeve të reja të punës, për modernizimin e këtij qyteti dhe zhvillimin e tij, si një qytet modern, i këndshëm për jetën e qytetarëve të tij.

Më 8 maj votoni alternativën e qytetarit, votoni Servet Duzhën,

Ju garantoj se për ne ju jeni të parët, familjet tuaj janë të parët, komunitete tuaja janë të parët, Cërriku është i pari, Shqipëria është e para.

a.y/NOA

KOMENTE