Tiranë, 19 prill 2011, NOA – Edhe pse janë ngujuar në një grevë urie prej gjashtë ditësh, rreth njëzetë gratë dhe burrat para dhe tetraplegjikë nuk dorëzohen nga rruga e tyre për plotësimin e kërkesave ekonomike. Dy nga gratë greviste mësohet të kenë dalë sot për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tyre.
Para dhe tetraplegjikët i kanë kërkuar qeverisë rritjen e përfitimit të karburantit në 80 litra në muaj, rritjen e pagesës së paaftësisë sipas pagës minimale 10200 lekë, rritjen e paketës higjieno-sanitare deri në 3000 lekë në muaj, si dhe përfshirjen në projektet e strehimit apo edhe ngritjen e një kampi çlodhës buzë detit ku ata të pushojnë një herë në vit.
Gjendja shëndetësore e grevistëve sa vjen e rëndohet, pasi ata si rezultat i grevës nuk po marrin as ilaçet që i ndihmon ata në zbutjen e dhimbjeve nga paraliza.
Bëhet tejet kryengritëse dhimbja dhe indinjata për këta persona që vuajnë, kur mëson se i vetmi qeveritar që shkoi t’i vizitojë në mjediset e grevës së urisë ishte zëvendësministrja e Punëve Sociale, Filloreta Kodra, e cila u kërkoi grevistëve të dilnin nga greva me garancinë se qeveria do t’ua plotësojë kërkesat.
Por, grevistët para dhe tetraplegjikë e kanë kundërshtuar daljen nga greva duke theksuar se ata nuk i besojnë premtimeve të pambajtura të qeverisë duke nënvizuar kështu se do të vazhdojnë grevën derisa qeveria t’u plotësojë një për një të gjitha kërkesat aq jetike e të domosdoshme për jetën e tyre.
mit/NOA