Tiranë, 19 prill 2011, NOA – Kryeprokurorja Ina Rama deklaroi sot se kërkesa për anëtarësim në BE të Shqipërisë është një aspiratë e ligjshme, porse kërkon shumë punë për arritjen e standardeve. Këtë deklaratë Prokurorja e Përgjithshme e bëri gjatë Komitetit Drejtues të Konsorciumit Ndërkombëtar që përcaktoi si temë diskutimi për këtë vit plotësimin e rekomandimeve të opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së saj kryeprokurorja Rama theksoi se “Kërkesa e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian është një aspiratë e ligjshme e popullit shqiptar, por nga ana tjetër kërkon dhe shumë punë për të arritur standardet e duhura për të qenë pjesë e Europës së Bashkuar”.
Sipas zonujës Rama diskutimi bëhet edhe më i rëndësishëm edhe për faktin se gjatë këtij viti plotësimi i rekomandimeve të KE-së për Shqipërinë do të jetë prioritet për të gjithë institucionet shqiptare.
Prokurorja e Përgjithshme vlerësoi kontributet e misioneve të huaja në rritjen e aftësive profesionale të prokurorëve dhe oficerëvë të policisë gjyqësore, nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme.
Në këtë kontekst ajo kërkoi përfshirjen në këto trajnime të më shumë pjestarëve të sistemit gjyqësor, gjyqtarëve të niveleve të ndryshme, si domosdoshmëri për rritjen profesionale.
Kryeprokurorja Ina Rama bëri me dije se organi i akuzës gjatë vitit të kaluar ka përfituar në disa projekte të financuara nga strukturat e Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës, Qeveria e SHBA-ve e donatorë të tjerë.
“Ajo që duhet thënë është se këto projekte kanë dhënë një impakt shumë pozitiv në punën e prokurorisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale”, nënvizoi zonja Rama.
Në këtë kontekst ajo përsëriti se funksionimi i Njësive të Përbashkëta Hetimore është një projekt shumë ambicioz, i cili po mbështetet fuqimisht nga Qeveria e SHBA nëpërmjet projektit “Marrëveshja e Pragut, Programi i Sfidës së Llogarisë së Mijëvjeçarit në Shqipëri”, faza e dytë.
Ajo theksoi se gjatë vitit të shkuar Njësitë e Përbashkëta Hetimore pranë Prokurorive të Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Gjirokastrës kanë punuar me efektivitet të plotë duke shënuar rezultate në rritje.
Duke folur për Projektin “Mbështetje për strukturat e hetimit të krimit financiar dhe pastrimit të parave”, që financohet nga Bashkimi Europian, kryeprokurorja Ina Rama nënvizoi se “Objektivi kryesor është të rriten kapacitetet e hetimit të veprës penale të pastrimit të parave dhe krimit financiar, duke forcuar bashkëpunimin institucional ndërmjet strukturave të zbatimit të ligjit”.
Ajo vlerësoi edhe misionet e tjera ndërkombëtare që asistojnë organet e zbatimit të ligjit në Shqipëri, duke shtuar se kjo inisiativë është shumë e rëndësishme dhe se do të rezultojë me propozimin e një pakete të vlefshme ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, e cila do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale në përgjithësi.
mit/NOA