Manastir, 19 prill, NOA - Tri periudhat e ekzistimit të konsullatë shqiptare në Manastir, nga periudha e Mbretërisë së Zogut e deri në 1948 me prishjen e marrëdhënieve. Menjëherë pas kësaj, mbi 38 mijë shqiptarë u shpërngulën në Anadoll të Turqisë. Kohërat kur Shqiptarët e Manastirit ishin në pozitë lakmuese kanë kaluar moti qysh para 100 vjetësh dhe më ato nuk do kthehen kurrë.
Mos harrojmë se këtu u zhvilluan ngjarjet më markante të periudhës së Rilindjes tonë kombëtare, që rezultuan me Unifikimin e Alfabetit Shqip me shkronja Latine dhe shtetformësia e Shtetit të sotëm Londinez, pra Shqipërisë.
Me formimin e Mbretërisë Shqiptare, në periudhën e viteve të 20-ta, përveç funksionimit të ambasadave, atëherë ishin hapur edhe konsullatat e para, njëra prej të cilave ishte edhe në Manastir.
Konsullata shqiptare me Konsull gjeneral ka qenë e vendosur në ndërtesën e Hotelit “LIRIJA”. Mirëpo pas disa keqpërdorimeve dhe pjesëmarrjeve në disa nga ngjarjet luftarake këtu në Manastir mes kaçakëve shqiptar dhe xhandarmerisë serbo-jugosllave të asaj kohe, Konsulli shqiptar braktisi Manastirin në natën e viteve 1936/37 nëpërmes rrugës së vjetër “Vija Ignatija” që kalonte nëpër vendbanimet shqiptare, dhe nga Xhinxhopoli, nëpër Malin Baba del në territorin shqiptar nga Mali i Thatë. Për këto ngjarje ekzistojnë dhe dokumente e shkrime si dhe kujtime nga persona të moshuar nga Manastiri e rrethina.
Koha tjetër e mirëqenies së shqiptarëve në Manastir dhe rrethinë është gjatë kohës së Luftës së dytë Botërore, kur nga viti 1940 e deri më vitin 1944, në Manastir së bashku me italianët ka pasur dhe përfaqësues shqiptar aty në cilësinë e konsullit. Prania e një përfaqësuesi shqiptarë ishte sepse italianët kishin vlerësuar territorin nga Manastiri e Prespa si dhe zona të tjera të banuar me shqiptarë.
Një nga kryepleqtë e Manastirit, Ramizi në rrëfimin e tij për agjencinë e lajmeve INA evokon kujtime nga ajo periudhë. “Ne e dinim konsullatën dhe ajo na ndihmonte shumë në të gjitha periudhat dhe për këtë kanë qenë dëshmitarë edhe prindërit tanë. Ne sidomos ishin të lumtur sepse aty pajiseshim me libra në shqip dhe na plotësoheshin kërkesa për materiale të ndryshme që na nevojiteshin. Shpeshherë furnizoheshim edhe me abetare, e cila ishte si drita e diellit për ne, sepse në atë periudhë të pushtimeve ishte vështirë të arrihej dhe të frymohej libri shqip”, rikujton Ramizi, duke shtuar se e kishte fshehur abetaren, pasi që po të kapej nga bullgarët do të akuzohej si armik.
Konsullata Shqiptare si përfaqësi diplomatike ka ekzistuar edhe pas Luftës së Dytë Botërore nga viti 1945, e deri më vitin 1948, kur dhe prishen marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë titiste për shkak të Informbyrosë. Edhe gjatë kësaj periudhe ka pasur një zhvillim të mirë të shqiptarëve të këtushëm me rrethinë. Janë hapur shkolla, kanë ardhur mësuesit e parë shqiptar nga Normalja e Elbasanit dhe ka pasur një lëvizje shumë të madhe midis Manastirit dhe Korçës.
Mësuesi i pensionuar Ramiz Asllani tregon se si nxënës të shkollës fillore kanë vizituar Konsullatën e shtetit Shqiptarë, dhe se si janë pajisur me libra në gjuhën amë.
“Por kjo zgjati shkurt, sepse më vitin 1948 në vjeshtën e vonë Konsullata bashkë me Konsullin dhe personelin largohet nga Manastiri dhe që atëherë më përfaqësi konsullore Shqipëria nuk hapi këtu”, rrëfen Ramiz Asllani.
Pas kësaj periudhe ndodhi ajo më e keqja. Shqiptarët duke mos qenë të mbrojtur nga askush, u dëbuan nga vatrat e tyre për në Turqi, ku vetëm nga Manastiri me rrethinë janë shpërngulur mbi 38 mijë shqiptar për në Anadoll.
Edhe fillimet e tranzicionit demokratik dhe me pavarësimin e Maqedonisë, shumica e vendeve evropiane dhe ato ballkanike hapën përfaqësitë e tyre konsullore në Manastir.
Aktualisht janë 12 përfaqësi konsullore nga gati të gjitha shtetet e Ballkanit dhe shtete tjera evropiane, por numri i tyre po rritet vazhdimisht, pasi që disa funksionojnë edhe si qendra kulturore.
Manastirasit habiten se përse vetëm shteti shqiptar nuk e bën një gjë të tillë, dhe heshtë përballë kërkesës.
Shoqata atdhetare kulturore “Bashkimi” ka apeluar gjithashtu për mbështetje sërish për të rikthyer konsullatën, si një zemër që mban gjallë manastirasit.
NOA-INA