English

Policia: PS gënjen, i dëmtuari i Kavajës nuk është konfliktuar prej fushatës

Tiranë, 19 prill 2011, NOA- Policia e kryeqytetit nëpërmjet një deklarate të dhënë për mediat reagon lidhur me disa pretendime të bëra publike ditën e sotme nga Politik Partia Socialiste e Kavajës.

Nëpërmjet kësaj deklarate policia është shprehur zyrtarisht duke thënë se, bazuar në deklarimin dhe kallëzimin e marrë me vullnet të lirë nga shtetasi Naim Haxhiu, nuk ka ngritur pretendime se është goditur apo konfliktuar për fushatën elektorale në Kavajë.

“Sqarojmë se, mbrëmë rreth orës 01.00’ në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë është paraqitur për të depozituar kallëzim penal shtetasi Naim Haxhiu, 43 vjeç, me banim në Kavajë, i proceduar më parë disa herë për konsumim të veprave penale të “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike” si dhe të “Mos bindje ndaj urdhrit të policisë”. Ky shtetas, ka depozituar kallëzim penal, duke deklaruar me vullnet të lirë, se natën e mbrëmshme në qendër Kavajë në afërsi të karburant “Alpet”, dy persona e kanë goditur me grushte”, thuhet në qëndrimin e policisë.

Më tej sqarohet se sapo kanë konstatuar rastin, strukturat e hetimit dhe të parandalimit të krimit të Komisariatit të Policisë Kavajë, kanë filluar procedimin penal për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Theksohet gjithashtu se të dëmtuarit Naim Haxhiu, i është dhënë vendim mjeko - ligjor.

Ndër të tjera thuhet se, 43 vjeçari i cili ka marrë plagë të lehta, nuk ka ngritur pretendime që konflikti i tij, midis dy shtetasve të ketë lidhje me fushatën zgjedhore në Kavajë.

a.y/NOA

KOMENTE