Fushë-Krujë, 19 prill 2011, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama ka zbritur këtë pasdite në Fushë-Krujë ku vetëm pak minuta më parë deklaroi se 8 maji duhet të jetë dita për t’i dhënë fund kusarisë së regjimit të qeverisë aktuale. Gjatë prezantimit në Fushë-Krujë të Gjon Bardhit si kandidat për kryetar të kësaj bashkie, Rama i garantoi banorët e Fushë-Krujës se “ne të gjithë bashkë i kemi të gjitha mundësitë që ta nxjerrim Krujën, Fushë-Krujën nga kurthi i papunësisë, padrejtësisë, në të cilin e ka zhytur pushteti”.
“I kemi të gjitha mundësitë, dritën e nevojshme për të ardhmen, gjithçka u duhet për t’u ndier pjesë e një zhvillimi historik për Krujën, Fushë-Krujën dhe gjithë Shqipërinë”, theksoi kryesocialisti Rama.
Ai i kërkoi votën banorëve të Fushë-Krujës për kandidatin Gjon Bardhi duke e shënjuar 8 majin si një ditë për të nxjerrë vendin nga papunësia.
Rama tha se Politika e vjetër e Sali Berishës është kohë e humbur, andaj ai apeloi që në 8 maj të votohet për “Aleancën për të Ardhmen” si një investim për të nesërmen.
Rama hodhi rishtas akuza ndaj qeverisë duke theksuar se pasuritë e shtetit po administrohen nga një grup njerëzish, ndërkohë që taksat e vendosura nga qeveria po varfërojnë gjithnjë e më shumë shqiptarët.
Rama i bëri thirrje banorëve të Fushë-Krujës të jenë të vetëdijshëm se me votën në 8 maj kanë në duart e tyre një ndryshim rrënjësor për vendin dhe qytetin ku ata banojnë.
Në këtë kontekst, shefi i Partisë Socialiste nënvizoi se koalicioni që ai drejton do ta nxjerrin Fushë-Krujën nga papunësia që e ka pllakosur. Vijon..
mit/NOA