Tiranë, 19 prill 2011, NOA- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë ditës së sotme priti në një takim anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Gjatë këtij takimi Topalli tha se ndihet mirë nga fakti që bashkëpunimi mes dy gjykatave është i një niveli të lartë shkëmbimi eksperiencash dhe dijesh në fushën e konstitucionalizmit dhe jurisprudencës, në tërësi.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasani e njohu kryeparlamentaren me sfidat dhe reformat që duhet të përballet Gjyakta Kushtetuese në Kosovë, në funksion të konsolidimit të shtetit ligjor.
Topalli theksoi se Parlamenti Shqiptar ka ndërmarrë reforma thelbësore për konsolidimin e integritetit, pavarësisë dhe profesionalizmit, të sistemit gjyqësor.
Ndër të tjera ajo e vuri theksin te mbajtja për herë të parë të seancave “Hearing” në Komisionin parlamentar të Ligjeve, me kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe votimi nominal, i hapur në seancën plenare, për miratimin e anëtarëve, që përbën një progres të rëndësishëm.
Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për sistemin e drejtësisë “ndryshimet e guximshme”, siç i cilësoi ajo, reformat në këtë fushë.
Në takim merrnin pjesë dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Bashkim Dedja, si dhe anëtarë të kësaj gjykate.
a.y/NOA