Tiranë, 20 prill 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës Lulzim Basha gjatë ditës së sotme është ndalur në njësinë bashkiake nr.9 në kryeqytet për të takuar banorët dhe për të shpalosur programin me ta.
Gjatë fjalës para qytetarëve ai është shprehur se brenda vitit të parë të drejtimit të bashkisë së Tiranës, do të marrë jetë projekti i zgjatimit të Bulevardit nga Stacioni i Trenit, deri tek Bregu i Lumit.
Gjatë këtij takimi ai ka prezantuar edhe kandidatin për këtë minibashki Indrit Fortuzin.
Ai u premtoi banorëve ulje të taksave në funksion dhe të normalizimit të çmimeve dhe krijimin e një fondi garancie për kredi të buta për strehimin e çifteve te reja, si dhe ndërtimin brenda 4 viteve të ardhshme të 1000 apartamenteve sociale.
Në vijim të programit të tij, Basha tha se prioritet gjatë punës së tij si kryebashkiak do të kenë hapësirat e gjelbra, ndërtimi i kopshteve dhe çerdheve si dhe asfaltimi i çdo pjese të rrugës në kryeqytet.
“Do ti ulim taksat duke filluar nga tre javët e mia të para si Kryebashkiaku juaj dhe do bëhet gjithçka për normalizimin e çmimeve në këtë qytet. Unë do të ngre brenda muajit të parë Agjencinë Bashkiake të Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila do të hulumtojë, identifikojë, raportojë dhe të godasë këdo që spekulon me çmimet në tregjet e qytetit tone”, tha Basha.
Ndër të tjera ia tha se, në platformën e tij dhe programin që do të nisë të zbatohet menjëherë në javën e dytë të Majit, tha Basha, parashikon një fond i veçantë për të lehtësuar kredimarrjen me kredi të zbutura për të gjitha çiftet e reja në qytet.
Ndërsa kandidati i kësaj minibashkie gjatë fjalës së tij tha se, “Që të fitosh duhet të kesh një mentalitet fituesi, që të kesh një mentalitet fituesi duhet të kesh stafin e kampionit. Unë me zotin Basha jemi kampion. Të gjithë do fitojmë”.
a.y/NOA