Tiranë, 20 Prill 2011 NOA - Banesa e një biznesmeneje ka rënë pre e grabitësve. Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme pranë qendrës “Kristal” në Tiranë, kur dy persona kanë hyrë në banesën e biznesmenes, ku kanë vjedhur një çantë me lekë.
K. Imeraj menjëherë sapo ka konstatuar vjedhjen e banesës ka lajmëruar policinë.
Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, mbërritën pranë banesës për të bërë këqyrjen e provave.
Burime nga policia e Tiranës thanë për agjencinë NOA se autorët kanë vjedhur një çantë me para por shuma ende nuk është përcaktuar nga biznesmenja e cila dëshmoi se kishte një sasi të konsiderueshme lekësh në çantën e vjedhur.
Ndërkohë që në orët e pasdites policia ka ndërmarrë një operacion i cili u finalizua me kapjen e autorëve të dyshuar.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se një autor i dyshuar është kapur vetëm pak momente më parë. E. Hysaj 24 vjeç, banues në Tiranë, është ndaluar dhe aktualisht po merret në pyetje. Nga policia mësohet se e dëmtuara ishte tregtare.
e.t/NOA