English

Berisha: Në vitin 2017, Shqipëria do jetë vend i zhvilluar

Belsh- Elbasan, 20 Prill 2011 NOA – “Ne qëndrojmë, ne besojmë se me besimin e madh tek ju, tek puna juaj, tek përkushtimi juaj, ne do të arrijmë së bashku ta shndërrojmë Patosin, të shndërrojmë Shqipërinë, në qytetin dhe vendin më të zhvilluar në vitin 2017”.

Ky ishte angazhimi që shprehu sonte kryeministri Sali Berisha në Belsh, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Asqeri Kuqja.

Në shtëpinë e alternativës për qytetarin ka vend për të gjithë tha Berisha duke theksuar se “dera e saj është e hapur” dhe përforcuar: “Është i mirëpritur çdo shqiptar, janë të mirëpritur të gjithë qytetarët duke i garantuar se mendimi i tyre, vizioni i tyre do të ketë vlerësimin më të madh”.

Kryeministri në tubimin me qytetarë të Belshit, u angazhua se së bashku me qytetarët e këtij vendi dhe kandidatin Kuqje, në 4 vitet që vijnë do të punohet me të gjitha forcat për të shndërruar Belshin në një qytet të zhvilluar, turistik, industrial.

Berisha shprehu angazhimin se në 4 vitet që vijnë do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo rrugë, çdo trotuar, çdo rrugicë e këtij qyteti dhe fshatrave të kësaj bashkie.

Duke u ndalur tek infrastruktura, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve të fundit në qarkun e Elbasanit janë ndërtuar 430 km rrugë, nga te cilat vetëm në rrethin e Elbasanit janë 203 km, ndërsa 34 km janë dy akset rrugore që lidhin Belshin dhe Pajovën, si dhe Belshin me Lushnjën, për të vazhduar më tej ndërtimin e boshtit të jugut.

Kryeministri vlerësoi si një projekt shumë të rëndësishëm ndërtimin e korridorit Tiranë- Elbasan.

“Ky korridor prej 31,7 km me tunel 2.4 km me 21 vija dukëse, 7 mbikalime, kater nënkalime do të shkurtojë mbi 25 minuta distancën Elbasan- Tiranë, do të hapë Tiranën, tregun e fuqishëm të saj për prodhuesit e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit e më gjerë.” u shpreh Berisha.

Në vijim Berisha lëshoi dhe disa romuze ndaj rivalit Edi Rama: “Kryetari i PS, i cili e nisi fushatën nën moton “fajin e ka Saliu” pastaj pasi erdha në Elbasan dhe i deklarova se tuneli dhe autostrada janë fajet e mia historike, hoqi dorë nga “fajin e ka Saliu” dhe tani vazhdon të nxijë gjithçka që ju keni arritur, duke menduar se në këtë mënyrë do mund të nxijë qeverinë shqiptare”.

Në fund ai iu drejtua kryesocialistit: “Dua t’i them zotit Rama nga kjo platformë, se kjo Shqipëri ka ndryshuar këto vite, më shumë se çdo vend tjetër dhe gabohesh rëndë kur përpiqesh të nxish sukseset e këtyre njerëzve për shkak të qëndrimit që ke ndaj qeverisë. Sigurisht që qeveria ka rolin e saj, por themeli i këtyre sukseseve janë qytetarët shqiptarë, mundi, djersa e tyre”.

e.t/NOA

KOMENTE