Ballsh, 20 prill, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot nga qyteti i Ballshit se investimet dhe trajtimi i qytetarë në mënyrë të barabartë dhe me prioritet janë angazhimet e kësaj mazhorancës. Ndërkohë që alternativa e kryesocialistit Edi Rama është ajo e rrugës së vetme. Berisha u shpreh se në 9 maj, Rama do të jetë në banesën e vetmisë.
“Kjo është alternativa jonë, alternativë në të cilën secili ka rrugën e tij, që me mundin, djersën, përkushtimin mbrothëson familjen, ndërton të sotmen e të ardhmen e tij. Atë të rrugës së vetmisë le t’ia lëmë shokut Edi Rama. Ec, vazhdo zoti Rama se në datën 9 maj do të arrish tek banesa e vetmisë. Rruga e vetme të çon vetëm në banesën e vetmisë dhe ajo është rruga pa kthim. Ne kemi përpara një fillim të ri. Ti ke përpara një fund të ri dhe plotësisht të merituar”, tha sot Berisha.
Në takimin e zhvilluar, Berisha ka mbështetur kandidaten e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Dallëndyshe Allkaj, e cila garon për bashkinë e Ballshit.
Berisha u shpreh se gjatë katër viteve janë ndërtuar e rindërtuar 10 shkolla, 10 ujësjellës e kanalizime, 8 qendra shëndetësore, si dhe janë subvencionuar 400 hektarë ullishte e vreshta.
Kryeministri Berisha, duke vlerësuar zonjën Dallëndyshe Allkaj si një qytetare shembullore, shprehu mbështetjen për çdo projekt që zhvillon Ballshin, Mallakastrën dhe çdo komunë.
“Ne ju garantojmë se vitet që vijnë do të gjashtëfishohen investimet në këtë rreth dhe jam i sigurt se në sektorin e naftës, rafinimit, përpunimit, nxjerrjes së saj do të shumëfishohen investimet, si për fuqizimin e prodhimit dhe për mbrojtjen maksimale të mjedisit”, tha ai.
a.k/NOA