English

Berisha: Rama ofro zgjidhje, jepi fund rrugës së mohimit të suksesit

Belsh, 20 prill 2011, NOA- (Update) Kryeministri i vendit Sali Berisha pasditen e sotme prezantoi kandidatin për bashkinë e Bleshit, Asqeri Kuqja.

Ai u tha banorëve të qytetit se në katër vitet që vijnë Belshi do të kthehet në një qendër të fuqishme e prodhimit dhe e turizmit të vendit.

“Në shtëpinë e alternativës për qytetarin ka vend për të gjithë. Dera e saj është e hapur. Është i mirëpritur çdo shqiptar, janë të mirëpritur të gjithë qytetarët duke i garantuar se mendimi i tyre, vizioni i tyre do të ketë vlerësimin më të madh”, u shpreh kreu i maxhorancës.

Ai u zotua para banorëve se në katër vitet e ardhshme Belshi do të kthehet në një qytet të zhvilluar, turistik dhe industrial dhe për të realizuar këtë ai ftoi kandidatin Kuqja që së bashku me autoritetet vendore të hartojnë sa më parë planin turistik për Belshin, duke premtuar se qeveria do ta mbështesë dhe financojë tërësisht atë.

Më tej ai vlerësoi si një projekt shumë të rëndësishëm ndërtimin e korridorit Tiranë- Elbasan: “Ky korridor prej 31,7 km me tunel 2.4 km me 21 vija dukëse, 7 mbikalime, kater nënkalime do të shkurtojë mbi 25 minuta distancën Elbasan- Tiranë, do të hapë Tiranën, tregun e fuqishëm të saj për prodhuesit e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit e më gjerë.”

Sakaq ai theksoi se, Dumreja ka një potencial të madh turistik, ndaj dhe kryetar i ardhshëm do punoj për ta bërë këtë vend në qendër të turizmit.

“Ne ia dolëm që të mblidhemi sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi, që pak vite më parë nuk ekzistonte në hartën turistike të botës, kurse sot është destinacioni numër një i planetit për turizëm, është shpallur “ e bukura e dheut”, deklaroi kreu i qeverisë.

Lideri i maxhorancës duke iu referuar Bankës Botëror dhe raportit të nxjerrë prej saj tha se, varfëria është ulur me 33%, ndërsa lidhur me listat ai u shpreh se sërish ka lista, por këto janë vetëm 1.4 % e shqiptarëve, nga 4.3 që ishin në 2005.

Kryeministri e cilësoi këtë vit si vitin e nxjerrjes së vendit nga mjerimi.

“Është e lehtë të akuzosh, të mohosh dhe vetëm të mohosh, por qytetarët shqiptarë kërkojnë zgjidhje, qytetarët shqiptarë, kërkojnë projekte, kërkojnë punë, kërkojnë rrugë, kërkojnë shkolla, kërkojnë ujë, kërkojnë treg, kërkojnë një jetë gjithnjë e më të mirë, ndaj dhe ju ftoj ju të bashkohemi të gjithë në alternativën tonë për qytetarin. Në shtëpinë tonë, në shtëpinë e alternativës për qytetarin ka vend për të gjithë. Dera e saj është e hapur. Është i mirëpritur çdo shqiptar, janë të mirëpritur të gjithë qytetarët dhe jo vetëm të mirëpritur, por i garantoj se mendimi i tyre, vizioni i tyre do të ketë vlerësimin më të madh”, deklaroi kreu i ekzekutivit.

Sakaq ai shtoi se, kryetari i Partisë Socialiste, e nisi fushatën nën moton “Fajin e ka Saliu” pas deklaratës se tuneli dhe autostrada janë fajet , Rama hoqi dorë nga “Fajin e ka Saliu” dhe nisi të nxijë gjithçka që është arritur, duke menduar se në këtë mënyrë do mund të nxijë qeverinë shqiptare.

Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri Berisha bëri u bëri thirrje qytetarëve duke thënë: “Më 8 maj ju ftoj të votoni të votoni për Asqeri Kuqen dhe ju garantoj ju se suksesin fitores së tij do ta shndërrojmë së bashku me të në një sukses të vërtetë për secilin prej jush, për familjet tuaja, për banorët e këtij qyteti, për banorët e kësaj bashkie”.

a.y/NOA

KOMENTE