English

Braçe: Basha e humbi garën që në nisje, mashtroi për uljen e taksave

Tiranë, 20 prill 2011, NOA – Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Erion Braçe akuzoi rishtas kandidatin demokrat për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha se po gënjen kryeqytetasit me premtimet për uljen e taksave. “U bënë disa javë që Luli gënjen. U bënë disa javë që Luli i Saliut vazhdon të gënjejë për taksat në Tiranë”, tha gjatë një deklarate për mediat nënkryetari i Grupit parlamentar të PS-së.

Për ta ilustruar këtë mashtrim ai tregoi para mediave dokumentacionin e plotë të taksave që paguajnë bizneset familjare të kandidatit Basha, kur sipas Braçes bizneset e afërta e familjare me Lulin e Saliut, si ai i kunatit apo i kumbarit, Fazlliç, paguajnë po tre taksa për Bashkinë e Tiranës.

Deputeti socialisti e ilustroi këtë me faturat e arkëtimit duke u shprehur se “Kjo që shihni është “faturë arkëtimi” e taksave të llogaritura si detyrim fiskal për kompaninë “Tirana Publishing House” nën administrimin e shtetasit Erjon Isufi, me adresë “Sheshi Italia, Hotel Sheraton, zyra 2”, kunati i Lulzim Bashës dhe shefi i shtabit të fushatës së tij: i cili sikundër tha Braçe “Për vitin 2010, janë vetëm 3 taksa, me vlerë 32120 lekë ose 2676 lekë në muaj. Po kaq edhe për kompaninë “Premium Print” që ka të njëjtin pronar, të njëjtën adresë, të njëjtin objekt dhe të njëjtin detyrim fiskal”.

Duke ilustruar të tjera fatura arkëtimi” të taksave të kunatit të Bashës, deputeti socialist tha se për vitin 2010, ai i ka paguar vetëm 3 taksa bashkisë së Tiranës, duke argumentuar kështu se “Lulzim Basha gënjen dhe këmbëngul të gënjejë”.

“Barra fiskale mbi biznesin e vogël buron nga qeveria ku Lulzim Basha është pjesë prej vitesh. Një biznes i vogël sot në Tiranë paguan tarifë pastrimi nga 2500 deri në 7500 lekë dhe kjo është 25% më pak se tarifa e mirëmbajtjes së kasës fiskale që qeveria e përcaktoi 9600 lekë. Lulzim Basha është në këtë garë për të gënjyer, ndaj ka humbur që në nisje!”, tha deputeti i PS-së.

Braçe rikujtoi se mashtrimi i kandidatit Basha është tejet haptas kur dihet që biznesi i vogël i paguan vetëm tri taksa Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kandidati demokrat “Luli i Saliut” gënjen kur flet për 82 taksa bashkiake.

“Lulzim Basha insiston t’u thotë qytetarëve se paguajnë 82 taksa në Tiranë. Dje ju treguam se Kryeministri, ministrat, paguajnë vetëm 3 taksa, në vlerë 550 lekë në muaj, ndërkohë që nga 1 janari janë vetëm 2 të tilla. Lulzim Basha ka 3 javë që po u thotë biznesmenëve të vegjël se paguajnë 82 taksa në Tiranë. Lulzim Basha gënjen, përsëri!”, nënvizoi deputeti Braçe, duke ritheksuar se kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës e ka të humbur garën elektorale kundër kryebashkiakut aktual Edi Rama, pasi ka hyrë në këtë garë me mashtrime.

mit/NOA

KOMENTE