English

Ilire Zajmi Rugova: Shkrimtari ndan fatin e tij, me fatin e kombit

Prishtinë, 20 prill, NOA - Ilire Zajmi Rugova, ka fituar çmimin special për poezi “Ventennale”, në konkursin ndërkombëtar të Qendrës për të Rinj dhe Poezi, në Triugji të Milanos, në Itali. Shkruan poezi, prozë, publicistikë. Ilire Zajmi ka botuar përmbledhjet me poezi: “Këmbanat e mëngjesit”, më 1991, Prishtinë dhe “Baladë e bardhë”, romanin “Fashitja e ëndrrave rebele” më 1996, librin publicistik “Uno treno per Bllace ose Një tren për Bllacë”, ku është bashkëautore me gazetarin italian, Filipo Landi. Gjithashtu është prezantuar me poezi dhe prozë, si bashkëautore në antologjitë letrare: 'Take të larta', 'Gjuha e dashurisë poetike' që është edhe në gjuhën italiane dhe angleze, në antologjinë “Nënës” dhe në antologjinë e përkthyer edhe në gjuhën rumune 'Altri mondi' Editura Do - Minor. Është autore e shumë e shumë shkrimeve, dokumentareve dhe intervistave me personalitete të ndryshme.

Ilire, urime për çmimin special për poezi "Ventennale", që iu nda juve nga Qendra për të Rinj dhe Poezi, në Triuggio të Milanos, në Itali. Si iu erdhi mundësia të merrni pjesë në këtë konkurs? Ishte një ftesë e zakonshme mes miqsh, e cila m’u përcoll për faktin që unë punoj për një agjenci italiane dhe flasë gjuhën italiane. Miku im, gjithashtu poet, i cili më dërgoi këtë ftesë, më tha është mirë që të konkurrosh pasi duket të jetë konkurs sfidues. Poezitë nevojitet që të jenë të përkthyera në gjuhën italisht, prandaj të lutem, shikoje këtë mundësi dhe është mirë të aplikosh. Nuk jam nga ata poetë, të cilët vrapojnë pas çmimeve mirëpo më bëri përshtypje sepse kishte kategori të ndryshme të çmimeve, të cilat do të ndaheshin për të rinj, për shkrimtarët që jetojnë jashtë Italisë dhe që flasin italishten sepse ato poezi, patjetër duhej të ishin dhe në gjuhën origjinale dhe të përkthyera në gjuhën italiane. Pak me hamendje, vendosa të konkurroj.

Me cilat poezi konkurruat ju dhe cilat ishin kriteret për këtë konkurs? Kriteri ishte që secili poet të konkurroj me tri poezi. Poezitë duhej të ishin në gjuhën amtare dhe gjithashtu të përkthyera në gjuhën italiane. Të gjitha këto, duhej të dërgoheshin në shtatë kopje sepse juria, e cila e ka bërë përzgjedhjen e fituesve, është e përbërë nga shtatë anëtarë, përfshirë shkrimtarë të njohur dhe kritikë letrarë. Puna më e vështirë ishte zgjedhja e poezive. Për poetin, të bëjë përzgjedhjen, apo ndarjen e poezive, është e njëjtë sikur një nëne t’i thuash, cilin fëmijë e do më shumë?! Pasi bëra një listë të ngushtë, nga ato poezi të cilat më dukeshin pak më reprezentative, u përcaktova për tri. Poezitë të cilat vendosa t’i dërgoj ishin “Të të them”, “Buzëqeshja e Andës” dhe “Baladë për vendlindjen”.

I përzgjodhët pikërisht këto të trija për arsye të motiveve, apo…? Secila prej tyre i ka motivet e ndryshme. Poezia “Të të them”, është poezi shumëdimensionale sepse vetë poezia është e tillë, pasi gjithsecili e kupton në mënyrën e vet. Për këtë poezi u përcaktova me mendimin se secili që e lexon do të gjej dika nga vetja aty, pasi prek dilemat tona të përditshme, kacafytjet, vurratat, sfidat që na dalin përballë si qenie që jetojmë në një ambient si ky yni sot. Poezia tjetër “Buzëqeshja e Andës”, në fakt është inspiruar dhe shkruar më shumë nga vajza ime për faktin se inspirimi lindi duke e vështruar vajzën time me sytë e saj ngjyrë qielli, ashtu si e kam përshkruar në një varg të poezisë. Mu duk shumë e ëmbël, shumë njerëzore t’i shpreh përmes vargut ndjenjat e një nëne për të bijën. Ndërsa, poezia e tretë “Baladë për vendlindjen”, gjithashtu shpreh dashuri por kësaj radhe dashuri ndaj vendlindjes, ndaj atdheut dhe kujtimeve të fëmijërisë që besoj se te secili prej nesh, ruhen gjithmonë të freskëta në kujtesë.

Ky çmim është shumë prestigjioz dhe ju ka bërë ambasadore të poezisë shqipe. Çka do të thotë për ty ky çmim? Për mua në radhë të parë është një mirënjohje për punën time, për atë që kam hedhur në letër. E dyta, besoj që jo vetëm për mua, por dhe për vendim tim, është një mirënjohje, sepse një poet nga Kosova të marrë një çmim jashtë vendit, si në këtë rast në Itali, nuk do të thotë pak sepse fundja, fjala e shkruar përfaqëson atdheun tim dhe vetëm ajo mund të shpërthejë kufij. Poezia depërton pa vizë, pa pasaportë edhe atje ku ndoshta ne nuk kemi mundësi të shkojmë fizikisht. E këtë mund ta bëjë vetëm arti dhe kjo është pikërisht ajo mrekullia, e cila tejkalon të gjithë kufijtë e mundshëm, barrierat dhe të gjitha muret reale dhe imagjinare. Në anën tjetër është edhe një shtytje për mua, që të vazhdojë më tutje për të krijuar.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të bëhet më 5 qershor, në Triugji të Milanos, në Itali, sigurisht dhe ju do të jeni e pranishme për ta marrë çmimin! Njëra ndër rregullat e konkursit është që duhet të jesh i pranishëm personalisht, me rastin e ndarjes së çmimeve, apo në pamundësi tërheqja bëhet përmes një autorizimi të shkruar. Unë patjetër që do të jem atje, sepse konsideroj se është një ngjarje, e cila nuk ndodh çdo ditë në jetën e një poeti dhe është një moment i rëndësishëm për mua. Gjithashtu, besoj që me vete do t’i marr edhe fëmijët e mi sepse tek e fundit, çmimi iu takon atyre.

Sa kohë ka kaluar që nga konkurrimi deri te ndarja e çmimeve? Koha që është dashur të bëhen vlerësimet dhe realisht të bëhet përzgjedhja e fituesve, ka qenë 3 muaj. Unë gati kisha harruar të kem aplikuar, pasi vorbulla e angazhimeve të përditshme të bën të harrosh shumëçka. Prandaj, ka qenë një befasi shumë e këndshme kur para dy netësh, gjegjësisht në orët e vona të natës hapa postën elektronike dhe vërejta një E-mail ku shkruante: Njoftim për çmimin! Atëherë u kujtova se kishte tre muaj qëkur kisha dërgova poezitë sepse me sa më kujtohet i dërgova në fund të vitit të kaluar, pra koha e fundit kur shkrimtarë të interesuar nga mbarë bota, duhej t’i dërgonin poezitë e tyre për këtë konkursin ndërkombëtar. Kur e lexova përmbajtjen e njoftimit, është një ndjenjë shumë interesante dhe më erdhi për një moment të qaj. Ishin lot gëzimi natyrisht sepse m’u duk e pabesueshme. Ka qenë një befasi e këndshme për faktin se nuk e prisja fare. Gjërat më të mira në jetë ndodhin kur ne nuk i presim aspak.

Ju shkruani dhe zhanre të tjera letrare. Cilat janë të rejat në këto fusha? Po, përveç poezisë shkruaj prozë, dhe publicistikë. Në fakt poezia është religjioni im, është vokacioni im kryesor. Mirëpo, nuk i lë anash dhe të tjerat, pavarësisht se poezinë e dua më tepër. Në vitin 1999, ka parë dritën e botimit në Itali libri publicistik “Uno treno për Blace” ose, “Një tren për Bllacë”, në të cilin jam bashkëautore me mikun tim, gazetarin italian, Filipo Landi. Ai është një gazetar i madh, fitues i shumë çmimeve, në Itali dhe jashtë saj për punën e tij, sidomos në vatrat e krizës, d.m.th në vendet ku ka pasur luftë, përfshirë edhe Kosovën.

Si u njohët më bashkëautorin, Filipo Landi? Është një histori shumë interesante. Vetëm lufta mund t’i lidhë njerëzit asisoj, t’i miqësoj përjetësisht. Unë dhe miku im, jemi miq për tërë jetën. Kjo ndodhi, gjatë luftës në Kosovë, pasi unë kam përcjellë zhvillimet e luftës dhe kam pasur fatin të punoj me shumë gazetarë të huaj. Unë e kam parë luftën nga brenda ndërsa Filipo, e ka parë luftën përtej kufijve të Kosovës, nga Bllaca, konkretisht. Historia është shumë interesante, pasi unë dhe ai nuk njiheshim në fillim. Një mik i yni i përbashkët, e ka njoftuar Filipon, për mua, duke i thënë se “Ilirja e cila është bashkëpunëtore e jona” e unë në atë kohë isha bashkëpunëtore e televizionit italian RAI me të cilët kam bashkëpunuar një kohë të gjatë, “bashkë me familjen gjendet në Bllacë. Të lutem ndihmoje”. Ky ka qenë momenti i njohjes, d.m.th unë me Filipon, u njoha kur isha refugjate, e dëbuar si të gjithë shqiptarët e tjerë, në atë kohë. Pastaj, ai bëri të pamundurën për të më nxjerrë nga aty. Kur shkova nga llageri i Bllacës në Itali, shtëpia botuese La Meridiana, e Barit, na ftoi të dyve në një takim, pasi kishte dëgjuar për bashkëpunimin tonë dhe kishte parë edhe në televizionin Italian gjithë historinë se si unë kisha dalë nga kampi dhe peripecitë e tjera, të cilat përshkruhen në atë libër dhe na propozoi që të ulemi dhe ta shkruajmë një histori lufte që është parë realisht nga dy palë sy. Një histori e shkruar nga katër duar. Ideja më pëlqeu, por nuk isha shumë e sigurt të shkruaj në një gjuhë të huaj, si ishte gjuha italiane. Mirëpo, për këtë u sigurova nga Filippo dhe botuesi se nuk do të kishte probleme as për korrekturën gjuhësore as për ndihmën maksimale, që ata do të më jepnin. Ka qenë përpjekja ime e parë në fakt, që të shkruaj në një gjuhë tjetër, përveç gjuhës angleze.

“Uno Treno për Bllace”, ose “Një tren për Bllacë”, në origjinal është botuar në gjuhën italiane, po në gjuhën shqipe kur pritet të botohet? Versioni i botimit në gjuhën shqipe “Një tren për Bllacë” tashmë gjendet në proces të publikimit. anë duke u bërë edhe punët e fundit dhe unë besoj se nga fundi i muajit prill, libri do të jetë para lexuesve. Libri ,gjithashtu është duke u përkthyer edhe në gjuhën kroate dhe sipas të gjitha gjasave, atje do të dalë në verë.

Romani juaj “Fashitja e ëndrrave rebele”, i cili o botua para luftës, bëri jehonë në Kosovë përkundër vështirësive të depërtimit për shkak të gjendjes okupuese që ishte atëherë. Çka ju kujton ajo kohë? Ajo kohë më kujton gjithçka. Krajatat për mbijetesë, aspiratën për liri, gjendjen e padurueshme sociale, por edhe më kujton suksesin e romanit tim të parë “Fashitja e ëndrrave rebele” i botuar në vitin 2006. Është habitës fakti sesi romani gjeti lexuesin , pasi mënyra e shpërndarjes së librit ka qenë shumë e vështirë. Librat që botoheshin nuk ekspozoheshin askund, përveç në ndonjë librari. Nuk kishte panaire librash, e kujt i binte ndërmend për art kur duhej te mësoje si të ekzistosh, për të mos vdekur çdo ditë nga pak. Sot e kësaj dite romani” Fashitja e ëndrrave rebele” është libri im më i shitur, dhe më i lexuari. Ndoshta për temën që trajton, për ëndrrat e prishura të një çifti nga një regjim gjakpirës, apo edhe për kohën në të cilën është shkruar dhe është botuar.

Diçka për fund? Për një shkrimtar është me rëndësi të mos ndalojë. Të krijojë, të mos lejojë ta braktis muza e frymëzimit. Besoj në art, besoj në atë që shkruaj. Prandaj letërsia e cila kultivohet në Kosovë e Shqipëri , është e mrekullueshme. Kemi çka t’i themi botës, kemi më çka të krenohemi, të trasojmë rrugën e sukseseve nëpër të cilën kanë ecur shumë shkrimtarë të mëdhenj si Kadare, Zhiti, Agolli, Spahiu e të mos i përmendi të gjithë me radhë. Shkrimtari ndan fatin e tij me fatin e kombit. Prandaj të jesh shkrimtar është detyrë e vështirë.

Intervistoi: Vera Pelaj/ Telegraf

KOMENTE