English

OSBE i dhuron 100 libra dhe hulumtime Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 20 prill 2011, NOA – OSBE-ja i dhuroi sot një fond prej 100 librash dhe disa punime hulumtuese Bibliotekës së Kuvendit të Kosovës. Ceremoninë e çeli sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili falenderoi për këtë dhuratë të çmuar drejtoren e Departamentit për Demokratizim në Misionin e OSBE-së, në Kosovë, Wilma Theuws.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës i shprehu mirënjohje Misionit të OSBE-së për ndihmën në vazhdimësi që i ofron Kuvendit të Kosovës.

“OSBE-ja, është bërë partner mbështetës në vazhdimësi i Kuvendit të Kosovës”, theksoi Krasniqi.

Në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, foli edhe deputeti Hydajet Hyseni, i cili tha se “kjo ndihmë vjen në kohën e duhur, sepse na është e nevojshme edhe përvoja që del nga këto libra dhe punime hulumtuese në fushën e legjislacionit”.

Të pranishmëve u është drejtuar edhe zonja Wilma Theuws, e cila e cilësoi nder për të që gjendet në këtë ceremoni dhurimi të librave.

“Cilësia e ligjeve, është bazë e demokracisë. Në këtë vështrim, me rastin e hartimit të ligjeve kjo literaturë do të ndihmojë shumë ligjvënësit”, vlerësoi zonja Theuws.

Drejtoresha e misionit të OSBE-së falenderoi për bashkëpunimin e Kuvendit të Kosovës me OSBE-në në shumë lëme, ndërsa shprehu gatishmërinë e OSBE-së që të ndihmojë edhe më tej me përkushtim Kuvendin e Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE