English

Pasqyra e Shtypit, 20 Prill 2011

Tiranë, 20 Prill, NOA - Gazetat shqiptare flasin sërish mbi deklaratat e fundit të kandidatëve për bashkinë e Tiranës, në takimet elektorale të radhës. Ndërkaq, Rama pohon edhe se PS-ja ka gati planin për mbrojtjen e votës.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Të çregjistrohen/ Kandidatët e pavarur, PS 13 ankesa në Kolegj”, i cili flet për ankimimin e Partisë Socialiste ndaj vendimit të KQZ për 2 kandidatë të pavarur.

“Ramiz Alia: Në 1997-n e binda Fatos Nanon të mos ikte nga burgu, pas daljes u fsheh 20 ditë në Tepelenë”, është një tjetër artikull i gazetës.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Vonesat me faturat, CEZ: Tani janë edhe online”; “Gjykata dënon me 12 vjet burg nënën që mbyti foshnjën 7 muajshe”; “Krimet e Rënda lirojnë 5 gjimnazistët gjobëvënës” etj.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Legal officier” Basha, mes ndëshkuesve të gjeneralëve të UÇK-së ”, i cili u pohon lexuesve të kësaj gazete sesi kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës ka marrë pjesë në ndëshkimin e Fatmir Limajt dhe Daut Haradinajt.

“Nuk blejnë me karta, shqiptarët preferojnë me para në dorë” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Për të vijuar edhe me artikullin tjetër me titullin “Mbishkrimet e kishave, në Tiranë në greqisht, te arbëreshët në shqip”.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Rama: Njësi speciale për manipulimet e PD-së”, i cili citon deklaratat e reja të kryesocialistit mbi atë që ai e quan skenar për mbrojtjen e votës së 8 Majit.

“Brozi: Ndërkombëtarët, puthadorë të Berishës” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar një komenti të ish-kreut të Gjykatës së Kasacionit.

Kurse “Konkursi i xhamisë, Kuvajti jep 225 mijë euro” flet për projektin e xhamisë së re.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Si do t’i ruajmë votat”, i cili tregon sesi Partia Socialiste ka hartuar një plan të posaçëm për të mbrojtur votën e 8 Majit.

“21 Janari, vjen një tjetër prokuror amerikan” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Invalidët në grevë, ndërpresin edhe ilaçet”, “Rreziku i valutës prek edhe individët, euro arrin 142 lekë” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “SHBA: Zgjedhjet e 8 Majit, rezultati të respektohet”, i cili pasqyron deklaratën e paraqitur dje nga ambasadori amerikan, Arvizu mbi pritshmëritë e zgjedhjeve lokale.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Basha: Urbanët e Tiranës, një biletë e vetme”.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Sheshi Skënderbej, punimet me hapin e breshkës”.

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Mërkurë, 20 Prill 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE