Laprakë, 20 prill 2011, NOA- Kryebashkiaku i Tiranës njëherësh i rikandiduari për këtë post, Edi Rama gjatë paradites së sotme ka zhvilluar takime me banorët e njësisë nr.11.
Gjatë bisedës me banorët Rama theksoi se tashmë pas transformimit të ndodhur jashtë banesave të qytetarëve e rëndësishme është të transformohet edhe jeta ekonomike e familjeve.
“Jua transformuam tërësisht Laprakën, tani duhet transformojmë jetën brenda shtëpive. Kjo është sfida! Tu japim mundësi njerëzve të punojnë, se janë një milionë të papunë në vend. Tu japim mundësinë njerëzve të luftojnë varfërinë, mos të dalin në pazar e të tmerrohen në mëngjes se janë rritur çmimet dhe e kanë të pamundur të blejnë”, theksoi ai.
Lidhur me legalizimet e banesave, kryesocialisti u shpreh se, “Po pse kujt iu legalizuan shtëpitë? U bë 20 vjet kjo histori, i gëzofshi shtëpitë tuaja, i gëzofshi shtëpitë tuaja edhe as Shaban Tapinë nuk ju dhanë. E kuptoni apo jo? Jo legalizim e hipotekë që nuk ju dhanë po as Shaban Tapinë nuk jua dhanë. Tek kutia e votimit futeni në llogaritë që keni me qeverinë dhe punën e legalizimeve që t’i hapim rrugë atij procesi. Me Shaban Tapinë nuk shkohet përpara.”
Më tej kryesocialisti ka kërkuar votën edhe për kandidatin e kësaj minibashkie Naim Asllani.
a.y/NOA