English

Rastet e Hagës, mbajnë peng ish-pjesëtarët e UÇK-së

Hagë, 20 prill, NOA – Katër rastet e Hagës që ngarkojnë ish-pjesëtarë të UÇK-së në Maqedoni pritet të jenë pjesë e fushatës zgjedhore tek partitë politike shqiptare.

Vazhdimi i proceseve gjyqësore “Maltretimi i punëtorëve të Mavrovës” si dhe rasti i “Pendës së Likovës” po mban peng dhjetëra ish-ushtarë të UÇK-së (Ushtria Çlirimtare Kombëtare), në mesin e të cilëve janë edhe dy deputetë të deritanishëm të BDI-së, Hisen Xhemaili dhe Hajrulla Misini.

Së fundi siç bëhet e ditur për agjencinë e lajmeve INA gati në procedim është edhe rasti i “Varrezës së Neproshtenit”, për të cilën janë të akuzuar dhjetëra ish-ushtarë dhe ish-komandanti i UÇK-së dhe deputeti i deritanishëm i pavarur Daut Rexhepi-Leka.

Ka ngelur edhe një rast tjetër ende i pa proceduar, por që dosja vazhdon në Prokurorinë e Maqedonisë, e cila ka të bëjë me akuzën e ngritur kundër “ish-kreut udhëheqës të UÇK-së në Maqedoni”, dosje që kryesohet me akuza kundër Ali Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Të katër rastet nuk kanë gjetur akoma një zgjidhje dhe se ato vazhdojnë të jenë të proceduara në Prokurorinë Maqedonase.

Katër lëndët menjëherë pas konfliktit të vitit 2001 ishin dërguar nga drejtësia maqedonase në Tribunalin e Hagës me akuzat dhe dosjet kundër ish-UÇK-së dhe rasteve të veçanta për krime lufte.

Tribunali i Hagës në mungesë të fakteve dhe provave, disa vjet më pas i`a riktheu lëndët autoriteteve maqedonase, të cilat nuk mbyllën çështjet, por ato nisën hapjen dhe procedimin e këtyre lëndëve, duke premtuar para bashkësisë ndërkombëtare për procese gjyqësore speciale transparente.

Shoqatat e Veteranëve të UÇK-së kanë apeluar sërish për mbylljen përfundimtare të këtyre dosjeve që rrezikojnë stabilitetin në vend dhe se ato theksojnë se çështja e konfliktit të vitit 2001 është zgjidhur me Ligjin për amnistinë për të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe partia e tij kanë paralajmëruar disa muaj më parë se do të mbyllin këto çështje, nëpërmjet interpretimit të Ligjit për amnisti në Parlament, pasi që me këtë ligj mbyllen të gjitha çështjet e hapura.

Në total, në rast se do të ndodh procedimi i të gjitha katër lëndëve, atëherë rreth 100 ish-pjesëtarë të UÇK-së mund të akuzohen dhe gjykohen për krime lufte.

NOA-INA

KOMENTE