Rritje e mundësive. Mbështetje e vazhdueshme. Avancim i bashkëpunimit. Bashkërenditje e mbështetjeve. Krijim i mekanizmave. Intensifikim i aktiviteteve. Ngritje e nivelit. Përforcim i kapaciteteve. Ristrukturim i sektorëve. Zgjerim i shërbimeve. Funksionalizim i plotë. Shtim i përkujdesjes. Fuqizim i kontributit. Përmirësim i qasjes…
Këto shprehje dhe shumë të tjera të ngjashme defilojnë pafundësisht në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2011-2014.
Nga Albin Kurti
Askund s’ka shifra dhe as afate në këtë program i cili u prezantua para Kuvendit të Kosovës me 22 shkurt të këtij viti. Pra, mu atë ditë kur u kontrabanduan, së pari, Behgjet Pacolli për president, e mandej edhe Hashim Thaçi për kryeministër të Kosovës. Programi 48 faqësh mëtonte të na bindte se koalicioni qeveritar ishte krijuar mbi bazën e këtij programi dhe për ta realizuar këtë program, në kohën kur të gjithë e dinim që porsa kishte përfunduar pazari më i ri i ndarjes së posteve midis partisë së Thaçit dhe asaj së Pacollit. Deputetëve atëbotë u ishin dhënë vetëm tri orë për ta analizuar e studiuar këtë program, ama porsa nis me shfletimin e tij kuptohet veçse një gjë: që koha e analizës dhe e studimit të programi qeveritar do të ishte kohë e humbur. Për çudi, deputetëve nuk u ishte dhënë koha të cilën do ta humbisnin kot. E megjithatë, autori i këtij programi e meriton një lëvdatë, sepse duhet të jesh shumë i talentuar që t’i shkruash 48 faqe e të mos thuash asgjë. Një program që nuk është serioz njeriu s’ka se si ta trajtojë seriozisht.
Se nuk e kishin përnjëmend programin e tyre dëshmoi, javën që shkoi, udhëtimi kolektiv i gjysmës së Qeverisë për në Bansko të Bullgarisë për ta hartuar atje programin ekonomik për Kosovën. Para dy muajve e kishin përpiluar programin 2011-2014 sa për sy e faqe, pasi që paraprakisht i kishin ndarë postet. Ngjashëm, tash shkuan në Bullgari për ta hartuar programin e zhvillimit ekonomik pasi që paraprakisht e kishin ndarë buxhetin nëpër ministritë e veçanta nëpërmjet ligjit për buxhetin e vitit 2011. Kjo qeveri fillon nga njerëzit e partive dhe paratë e qytetarëve për të përfunduar te planet dhe programet e saj (në shërbim të së cilave do të duhej të ishin politikanët për hir të qytetarëve). Pra, në vend se qytetarët përmes buxhetit të shtetit të jenë punëdhënësi që e merr në punë Qeverinë për ta menaxhuar paranë e përbashkët në funksion të interesit të përgjithshëm, te ne ngjan saktësisht e kundërta: Qeveria përvetëson buxhetin e shtetit që ua ndan ministrave e të cilët mandej shfaqen si punëdhënës që i marrin një pjesë të qytetarëve në punë në forma të ndryshme duke ua ndarë atyre si paga paratë e të gjithë qytetarëve.
Çfarëdo programi ekonomik që del nga skijimi në qendrën turistike Bansko nuk do të mund t’i riparojë pesë probleme madhore të buxhetit 2011. Mbase, vetëm sa do t’i konfirmojë ato. Së pari, me këtë buxhet është planifikuar shitja e PTK-së, ndërmarrjes më fitimprurëse në Kosovën e pasluftës, me qëllim të mbulimit të shpenzimeve që parashihen nga kontrata me Bechtel-Enkan, e të cilën thuhet ta kenë parë tre a katër veta gjithsej. Së dyti, duke alokuar më pak se 1% të buxhetit për bujqësinë do të kemi eliminimin e shanseve të bujqve vendës për plasimin e prodhimeve të tyre në tregun kosovar. Së treti, me këtë buxhet Qeveria shndërrohet në një ndërmarrje për investime infrastrukturore apo, më saktë, në një kompani ndërtimore që shtron asfalt, ndërton shkolla e rinovon palestra sportive në kohën kur punësimi, mësimdhënia, mësimnxënia, kultura e shëndetësia kanë rënë përtokë. Së katërti, do të kemi privilegjin absurd të komunave me shumicë serbe për shkak se ata, për dallim prej komunave me shumicë shqiptare, nuk do të ndajnë një pjesë të të ardhurave të tyre për financimin e shërbimeve publike në nivelin komunal. Kështu, për komunën e Zubin Potokut, qeveria ka ndarë 2.07 milionë euro, kurse kontributi i vetë komunës del të jetë qesharak me vetëm 7.800 € (ose 0.4%) gjatë gjithë vitit. Ndërkaq, komuna e Parteshit, që paraqet një fshat mesatar të Kosovës, do të përfitojë rrafsh 1 milion euro nga taksapaguesit kosovarë pa u lodhur që të grumbullojë as edhe një cent të vetëm nga banorët e fshatit. Dhe, së pesti, në vend të premtimit për rritjen e pagave prej 30%, 40% e 50% u bë një rritje prej vetëm 23%. Kësisoj, kjo rritje ishte zbritje. U blenë votat me premtime që s’u përmbushën dhe tash dobësohen shërbimet publike duke iu dedikuar atyre më pak buxhet. Mjekët në Qendrën Klinike Universitare do të marrin paga me një ngritje të lehtë porse buxheti për QKU-në do të jetë më i ulët.
Gjithsesi, synimi i Qeverisë nuk është t’iu dal zot kategorive shoqërore që gëzojnë të drejta, por pacifikimi i qytetarëve të zemëruar por të punësuar në sektorin publik, duke iu ndihmuar atyre privatisht. Përveç inflacionit rriten ca edhe pagat e shërbyesve cilivë, të cilët në vend se t’i shërbejnë publikut, me këtë mënyrë, rrezikojnë të përfundojnë duke i shërbyer Qeverisë.