Toronto, 20 Prill 2011 NOA – Ajo që ka parë me sytë e tij, por duke mos arritur dot të bënte asgjë për ta ndihmuar, do t’i mbesë ndoshta gjithë jetën në mend një djali 23 vjeçar i cili u detyrua të shihte fundin e të dashurës drejtpërdrejt, online, e masakruar nga një i panjohur që i hyri në shtëpi.
Qian "Necole" Liu, një vajzë 23 vjeçare kineze e cila studionte në York University Village, në Toronto, është viktima e vrasjes brenda në apartamentin e saj.
Ishte ora 01.00 pas mesnate kur prej minutash, vajza ishte duke folur në chat me webcamera, me të dashurin e saj moshatar i cili jeton në Pekin, plot 20 mijë kilometra larg saj.
Në një moment, dikush troket te porta e shtëpisë së saj dhe ajo ngrihet nga tavolina ku kishte lap-topin dhe vete të hapë derën.
Këtu ka ardhur fundi i tmerrshëm. Studentja është vrarë dhunshëm nga i panjohuri i cili nuk ishte i maskuar.
I riu ka bërë përpjekje për të ndihmuar vajzën, por ka qenë e pamundur megjithë telefonatat që bëri në policinë e Torontos.
Shefi i policisë së Torontos, Frank Skubic tha se kur policia ka shkuar në apartamentin që sugjerohej të kishte ndodhur një krim, gjetën trupin e zhveshur lakuriq të studentes së anglishtes, ndërkohë që lap-topi ishte zhdukur.
Ajo që policia tani di për vrasësin, është ende shumë pak. I dashuri i Qian Liu, ka pohuar se nga ajo çka pa nga webcamera, dalloi një djalë të ri, muskulor, me flokë gështenjë, me trup mesatar, i cili i kërkonte vajzës që t’i përdorte telefonin e saj celular.
e.t/NOA