Tiranë, 20 prill 2011, NOA – Presidenti i Republikës, njëherësh Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi inkurajoi sot krerët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se edhe pse një shtet i ri Kosova po bën përpjekje të dukshme për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Gjatë takimit me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, kreu i Shtetit shqiptar theksoi se është tejet i rëndësishëm konsolidimi i një sistemi gjyqësor me institucione profesionale, të paanshme dhe të pavarura nga politika.
Presidenti Topi foli për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes shqipërisë e Kosovës, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm ligjor dhe konstruktiv të Gjykatës Kushtetuese të Shtetit të Kosovës.
Këtu Presidenti u ndalur në çështje të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.
Ai shprehu vullnetin dhe angazhimin institucional që të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve në shërbim të zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve shumë të mira midis institucioneve të drejtësisë të shtetit shqiptar dhe atyre të shtetit të Kosovës.
Presidenti Topi dhe kryegjyqtari Hasani theksuan në mënyrë të veçantë edhe rëndësinë e hartimit dhe realizimit të projekteve konkrete të gjykatave kushtetuese të të dy vendeve të konkretizuara përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.
Njëra prej këtyre marrëveshjeve u nënshkrua dy ditë më parë në Tiranë, për shkëmbimin e përvojave pozitive dhe forcimin e bashkëpunimit reciprok në gjyqësor si dhe intensifikimin e të gjitha raporteve institucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, siguroi presidentin Topi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të konsolidojë bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.
Ai garantoi këtu se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të punojë akoma më shumë në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës në Kosovë.
mit/NOA