Durrës, 20 prill 2011, NOA – Në kuadër të një turi vizitash në portet e Mesdheut është ankoruar në portin detar të Durrësit anija mësimore e flotës ushtarake rumune "Mircea", e cila daton prej vitit 1938. “Mircea” do të qëndrojë për tri ditë në ujërat tona.
Anija rumune dhe ekuipazhi i saj u pritën nga shefi i Shtabit të Forcave Detare, kapiteni i rangut të I-rë, Roland Nasto dhe Ambasadori i Rumanisë në vendin tonë, Viorel Stanila.
Drejtuesit, marinarët dhe studentët e kësaj anijeje do të zhvillojnë vizita në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Krujës, ndërsa janë programuar edhe takime sportive miqësore.
Anija-shkollë e Flotës ushtarake rumune është ndërtuar në vitin 1938 në kantierin e Hamburgut në Gjermani.
Ajo ka një gjatësi prej 82 metra dhe një ekuipazh prej detarësh dhe studentësh praktikantë që arrin në plot 157 vetë.
Që nga ndërtimi i saj anija “Mircea” ka zhvilluar 28 lundrime të gjata me karakter mësimor rreth botës.
Anija shkollë - ushtarake "Mircea" do të qëndrojë në Durrës deri të enjten pasdite dhe do të jetë e hapur për publikun nga ora 11.00-14.00.
mit/NOA