Tiranë, 20 prill 2011, NOA- Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit Altin Goxhaj nëpërmjet një deklarate për mediat publikoi dokumentet që sipas tij administratori i bashkisë së kryeqytetit Dritan Agolli, paguan 100 mijë dollarë SHBA-ve për llogari të Partisë Socialiste.
“Pas një kërkimi të thjeshtë online në faqen ueb-it të Departamentit të Shtetit (SHBA) ëëë.fara.gov rezulton se Administratori i Bashkisë Tiranë dhe Drejtor për Urbanistikën, Dritan Agolli rezulton të jetë personi që ka kontraktuar në emër të Partisë Socialiste një kompani amerikane lobimi “Rosky Baerlein Strategic Communications, Inc” me qëllim pagesën prej 100.000 USD plus shpenzimet (nga të dhënat paraprake të kërkimit të këtyre ditëve shpenzimet llogariten 170.000 USD të tjera) me qëllim “edukimin” e politikbërësve amerikanë “duke iu referuar formulimit, zbatimit apo ndryshimit të politikave të brendshme apo të jashtme të Shteteve të Bashkuara” përgjatë kohës së grevës së urisë të PS në 2010”, thuhet në deklaratën e e Goxhaj.
Sipas tij në këtë dokument prej 4 faqesh jepen të dhëna të plota se Partia Socialiste në 23 Mars 2010, disa javë para grevës së urisë kishte kontraktuar një kompani amerikane e cila do të botonte në mediat amerikane dhe do të siguronte mbështetje për ndryshimin e politikës së jashtme të DASH ndaj Shqipërisë përgjatë kohës së grevës së urisë.
Sipas drejtorit të ZMK-së, ky dokument krijon një dyshim publik në Shqipëri mbi mënyrën se si përdoren fondet publike në favor të fushatave elektorale.
Goxhaj thekson se në dokument rezulton se Partia Socialiste nuk përfaqësohet nga zyrtarët e saj ligjor për kontraktime financiare por për këtë rolin e kanë marrë zyrtarët e Bashkisë Tiranë, madje pikërisht ata që nuk e kanë këtë të drejtë: Nëpunësit Civil.
Goxhaj thekson se, Dritan Agolli është Administrator i Bashkisë Tiranë dhe Drejtor i Urbanistikës, në statusin e Nëpunësit Civil, i cili ka për detyrë të administrojë sa më mirë taksat e qytetarëve.
a.y/NOA