Tiranë, 21 prill 2011, NOA – Deputeti demokrat Gerti Bogdani deklaroi sot se Bashkia e Tiranës është i pari institucion në vend ndaj të cilit lëshohen më shumë ankesa brenda një viti nga qytetarët. Bogdani iu referuar një studimi të qendrës së studimeve parlamentare të publikuar në vitin 2009, ku sipas peticioneve të dërguara nga qytetarët mësohet se vetëm pranë bashkisë së Tiranës janë regjistruar 26000 ankesa në vit.
“Ky numër ankesash është më i larti, nëse e krahason me numrin e ankesave të
depozituara pranë presidencës 2500, KLD, 2101 ankesa, Avokati i Popullit
4,000 etj..”, tha Bogdani duke bërë me dije se qytetarët e Tiranës ankohen më shumë se të gjithë qytetarët e republikës për hallet e tyre që presin t’u japë zgjidhje Bashkia e
Tiranës.
Deputeti demokrat tha se ankesat janë të natyrave të ndryshme, që nga ato të ambasadorëve apo diplomatëve për prishje të qetësisë publike nga muzika e lartë e lokaleve të natës apo zhurma mjeteve të transportit, deri tek ankesat e pafundme për
prishje pronash apo shtëpish.
Në këtë kontekst deputeti Bogdani theksoi se kundër bashkisë së kryeqytetit janë depozituar në Gjykatën e Tiranës plot 732 padi të qytetarëve, ku sipas tij qytetar apo edhe firma të ndryshme, pretendojnë se janë cënuar padrejtësisht nga kryetari Edi
Rama.
Në paditë e tyre ata kërkojnë miliona lekë dëmshpërblim për prishjen e pronave, shtëpive dhe bizneseve të tyre.
Këtu Bogdani tha se përfaqësuesit ligjorë të bashkisë injorojnë paditë e qytetarëve duke mos u paraqitur nëpër seancat gjyqësore.
Deputeti demokrat bëri thirrje që kjo situatë të mos vazhdojë më, duke argumentuar se qytetarët e Tiranës kanë nevojë për një kryebashkiak që
të kujdeset për qytetarët dhe të përpiqet të zgjidhë problemet e tyre, e jo
për një kryebashkiak sheh vetëm betejën politike kombëtare.
mit/NOA