Tiranë, 21 prill, NOA – Kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje sot gjithë qytetarëve dhe institucioneve në vend që të zhvillojnë një proces zgjedhor më standarde. Ai ka theksuar se qytetarët shqiptarë duhet të jenë të përgjegjshëm se këto zgjedhje janë hap vendimtar për integrimin e vendit në BE. “Është hidhëruese kur sheh përplasje për çështje flamujsh. Unë kam këtë mesazh; flamujt e spektrit politik shqiptarë, janë flamujt e pluralizmit. Ato shkëlqejnë në tërësinë e tyre, pa ata Shqipëria s’do të ishte kjo që është”, tha sot Berisha.
Kryeministri u shpreh se në procesin e integrimit të vendit, qytetarët duhet t’i shohin zgjedhjet si një proces ku mund të kontribuojnë të gjithë për hyrjen në BE.
“Në këtë proces kompleks çdo qytetar kontribuon me punën e tij, me përkushtimin e tij me të gjithë qenien e tij, por kontribut më të madh se në çdo rrethanë tjetër qytetari mund të jap për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, tha Berisha.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës. “Të shmangim çdo akt dhunë, çdo akt fanatizmi të vendosim një tullë të re në drejtimin e integrimit të vendit në BE. Ata të cilët i lejojnë vetes akte dhune dhe tensionojnë situatën duhet ta dinë se në mënyrë absoluteve veprojnë kundër interesave të çdo shqiptari. U bëjë thirrje organeve të rendit të adaptojnë zero tolerancë ndaj çdo lloj abuzimi”, tha Berisha.
a.k/NOA